Tre zyrtarë policorë, me inicialet E.R., A.R. dhe B.M., po dyshohen për një vepër të rëndë ndaj një vajze, mëson Klan Kosova.

Për këto dyshime njoftoi Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili njoftoi se ndaj tyre është rekomanduar masa e suspendimit.
Ndërkaq, sipas burimeve të gazetares Altiana Zogaj, zyrtarët e dyshuar janë nga gjeneratat e fundit të policisë dhe kanë qenë të angazhuar në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, raporton Klankosova.tv.
Sipas po këtyre burimeve, rasti është raportuar te autoritetet nga një e afërme e vajzës, viktimë e këtij rasti, pasi, gjithnjë sipas burimeve, të tre policët e dyshuar i kishin kërkuar asaj marrëdhënie seksuale në grup.
IPK-ja, në njoftimin për media, dha detaje për rastin.
“Rasti raportohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026 pas mesnatës, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë. Sipas pretendimeve të ankueses, derisa e njëjta ishte duke drejtuar veturën, ajo ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual”, tha IPK-ja. /Klankosova.tv




