Pacientët në duart e personave pa licencë? (VIDEO)

Pacientët në duart e personave pa licencë? (VIDEO)

Pacientët në duart e personave pa licencë? (VIDEO)

Prezantohet si anesteziolog, ofron transportimin e pacientëve jashtë vendit, por biznesi i tij nuk figuron i licencuar për veprimtari shëndetësore.

Sponsor 3M Express

Bëhet fjalë për Hasan Simincën nga Prishtina, pronarin e kompanisë “Edar Medical”, autoambulancat e së cilës qëndrojnë para dyerve të QKUK-së.

Në komunikimin me Kiks Kosovën, Siminca pretendoi se kishte ekip të specializuar për transportimin e pacientëve drejt vendeve të tjera për trajtim mjekësor. Ai u prezantua si anesteziolog dhe deklaroi se mund ta shoqëronte vetë një fëmijë 10-vjeçar nga Prishtina deri në Hamburg të Gjermanisë.

Gjatë bisedës, ai kërkoi informacione për gjendjen shëndetësore të pacientit, ndërsa pyeti nëse fëmija ndodhej në kujdes intensiv dhe çfarë pajisjesh apo barnash do t’i nevojiteshin gjatë rrugëtimit. Sipas tij, për raste të tilla angazhohen të gjithë mjekët e nevojshëm.

Siminca tha se transportimi me autoambulancë mund të kushtonte nga 3 mijë deri në 7 mijë euro, varësisht nga gjendja e pacientit. Ndërsa, në rastet kur gjendja është shumë e rëndë, ai ofroi edhe mundësinë e transportimit me aeroplan privat, me kosto mbi 35 mijë euro.

Madje, ai pretendoi se kishte qasje në QKUK për ta vlerësuar gjendjen shëndetësore të pacientit para nisjes, duke thënë se pa një konstatim paraprak nuk mund të realizohej transportimi.

Por, verifikimet e Kiks Kosovës treguan se emri i tij nuk figuron në regjistrat e Odës së Mjekëve të Kosovës. Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq, konfirmoi se në listën e institucioneve private shëndetësore nuk figuron ndonjë institucion i licencuar me Hasan Simincën si themelues.

As Oda e Infermierëve të Kosovës nuk arriti ta identifikonte në regjistrin e anëtarësisë, ndërsa ai nuk figuron as në evidencat e Federatës së Sindikatave të Infermierëve të Kosovës.

Për të marrë përgjigje drejtpërdrejt nga ai, Kiks Kosova organizoi një takim me Simincën, duke u paraqitur paraprakisht si familjare e fëmijës 10-vjeçar. Rasti ishte i sajuar nga redaksia për të verifikuar shërbimet që ai ofron.

Pasi gazetarët u prezantuan me identitetin e tyre të vërtetë, Siminca u pyet për pretendimin se është anesteziolog. Ai tha se kualifikimin për këtë profesion e ka marrë jashtë Kosovës.

Siminca konfirmoi se është pronar i “Edar Medical”, por mohoi se është vetë ai që i shoqëron pacientët gjatë transportimit jashtë vendit. Sipas tij, është vetë ai që vendos se cilët persona angazhon për këtë punë.

Ai pranoi se biznesi i tij nuk posedon licencë shëndetësore, duke pretenduar se një veprimtari e tillë nuk është e rregulluar me ligj. Sipas tij, disa herë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

Siminca tha se posedon vetëm certifikatën e regjistrimit të biznesit në ARBK dhe se nuk i nevojiten licenca të tjera. Madje, kur u pyet për diplomën dhe dëshmitë që vërtetojnë kualifikimin e tij si anesteziolog, ai u përgjigj se këto nuk janë çështje që u interesojnë gazetarëve, por pacientëve, të cilëve tha se ua prezanton dëshmitë.

Detajet mund t’i gjeni në materialin e përgatitur nga Kiks Kosova:

 

Lexo edhe

BE-ja kërkon integrimin e plotë të Ukrainës në arkitekturën evropiane të sigurisë

BE-ja kërkon integrimin e plotë të Ukrainës në arkitekturën evropiane të sigurisë

Sijarina për rastin e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë suspendimet, kush do të japë llogari?

Sijarina për rastin e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë suspendimet, kush do të japë llogari?

Argjentina e ka gjetur një hapësirë në FIFA, për mos ta dorëzuar numrin 10 të Messit

Argjentina e ka gjetur një hapësirë në FIFA, për mos ta dorëzuar numrin 10 të Messit

Pacientët në duart e personave pa licencë? (VIDEO) | Momenti