Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka publikuar një video nga deponia regjionale e mbeturinave në Sferkë të Klinës, e cila po digjet për herë të dytë, duke shprehur shqetësimin për ndotjen dhe rrezikun për shëndetin e banorëve të zonës.

Bajrami ngriti pikëpyetje se ku janë institucionet që nuk po merren me këtë deponi, duke i bërë thirrje Qeverisë që të angazhojë institucionet përkatëse për shuarjen e zjarrit.
“Banorët e Pejës janë qytetarë të këtij shteti. Edhe ata votojnë, edhe ata paguajnë taksa. Nuk janë qytetarë të dorës së dytë që shteti t’i neglizhojë kur kanë nevojë më së shumti.
Ku është Qeveria? Ku është Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave? Ku është Inspektorati Mjedisor? Pse nuk po mobilizohen të gjitha kapacitetet e shtetit?
I bëj thirrje Qeverisë që menjëherë ta angazhojë FSK-në, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe çdo institucion tjetër që mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit”, ka shkruar ajo, transmeton Klankosova.tv.
Deputetja e LDK-së bëri thirrje që kjo deponi të mbyllet dhe që Inspektorati Mjedisor të ndalojë funksionimin e saj.
“KJO DEPONI DUHET TË MBYLLET.
Inspektorati Mjedisor duhet të dalë menjëherë në terren, ta konstatojë shkallën e ndotjës dhe të marrë masa urgjente për ndalimin e funksionimit të deponisë, pasiqë aty nuk plotësohen asnjë nga kushtet ligjore për mbrojtjen e mjedisit.”, ka përfunduar ajo.





