Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur alarmin lidhur me gjendjen e rëndë mjedisore në Pejë, duke bërë të ditur se në Sferkë po digjet për herë të dytë deponia regjionale e mbeturinave.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ku ka publikuar edhe pamje nga vendi i ngjarjes, Bajrami ka theksuar se banorët e Sferkës, Llutogllavës, Trestenikut, Ruhotit, Nabërgjanit dhe fshatrave përreth po ngulfaten nga tymi toksik, i cili po përhapet edhe në zona më të largëta.
Në reagimin e saj të ashpër, deputetja e LDK-së ka kritikuar mungesën e reagimit të institucioneve qendrore, duke kërkuar llogari për neglizhencën ndaj qytetarëve të kësaj ane.
“Banorët e Pejës janë qytetarë të këtij shteti. Edhe ata votojnë, edhe ata paguajnë taksa. Nuk janë qytetarë të dorës së dytë që shteti me i neglizhu kur kanë nevojë më së shumti. Ku është Qeveria? Ku është Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave? Ku është Inspektorati Mjedisor?”, ka shkruar mes tjerash Bajrami.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





