Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar të turpshëm dhe të papranueshëm dënimin me 17 muaj burgim të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në rastin që lidhet me administrimin e drejtësisë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një konferencë për media, Çitaku ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e PDK-së lidhur me vendimin e gjykatës, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë e saj.
“Vendim i turpshëm dhe i papranueshëm. Nuk ka asgjë më shkatërruese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në procesin për pengimin e drejtësisë”, tha ajo.
Çitaku ka theksuar se, sipas PDK-së, kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë shtuar dyshimet për mënyrën se si po administrohet drejtësia nga Gjykata Speciale.
“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë anuluar edhe më tej pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë së kësaj gjykate. Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde”, potencoi ajo.
Në fund të deklarimit, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së bëri të ditur se partia do t’i përgjigjet këtij vendimi përmes qëndresës, mobilizimit dhe veprimeve politike, juridike e diplomatike.
“Do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton, me qëndresë, me mobilizim dhe me përkushtim të palëkundur, me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike dhe me vendosmëri deri në fund. Lufta jonë për liri ishte e drejtë, UÇK-ja ishte ushtria jonë çlirimtare, sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset asnjëherë”, shtoi Çitaku.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





