Dardan Cena ka shënuar një prej fitoreve më të mëdha të karrierës, duke eliminuar legjendën e xhudos, Lasha Shavdatuashvili, në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.
Xhudisti kosovar e mposhti 34-vjeçarin gjeorgjian në një luftë maratonike, e cila zgjati më shumë se tetë minuta dhe u vendos në “golden score”.
Cena arriti ta përballonte presionin e njërit prej emrave më të mëdhenj të kësaj kategorie dhe, ndonëse pati edhe vetë disa aksione të mira, fitorja erdhi pas dënimit të tretë të Shavdatuashvilit.
Me këtë rezultat, Cena siguroi kalimin në raundin e tretë të kategorisë deri në 73 kilogramë në Botërorin e Bakut, duke regjistruar një triumf të jashtëzakonshëm ndaj një kundërshtari me një CV të jashtëzakonshme.
Shavdatuashvili është kampion olimpik, kampion bote dhe fitues i medaljeve të shumta në garat më të mëdha të xhudos.
Kjo e bën fitoren e Cenës edhe më të veçantë, pasi kosovari eliminoi një prej figurave më të respektuara të xhudos botërore dhe një prej garuesve më të dekoruar të kategorisë.
Cena e kishte nisur ditën me fitore ndaj irlandezit Joshua Green, të cilin e mposhti me uazari./Telegrafi/




