Cilësia e shërbimeve shëndetësore, siguria e pacientëve dhe besimi i qytetarëve në institucionet shëndetësore ishin në qendër të diskutimeve në hapjen e Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, tha se cilësia në shëndetësi nuk matet vetëm me infrastrukturë dhe pajisje moderne, por mbi të gjitha me profesionalizmin e personelit shëndetësor dhe rezultatet e trajtimit të pacientëve.

Ajo theksoi se qytetarët presin të marrin shërbimin e duhur mjekësor në kohën e duhur, të dëgjohen dhe të trajtohen me dinjitet e siguri.
Sipas Shiroka-Pulës, besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor ndërtohet përmes shërbimeve të sigurta, të qasshme dhe cilësore, ndërsa për këtë nevojiten standarde të larta, përkushtim i vazhdueshëm dhe bashkëpunim institucional.
Presidentja vlerësoi edhe mbështetjen e Zvicrës në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë, duke përmendur projektet për kujdes shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, si dhe integrimin e shërbimeve në nivelet parësor, dytësor dhe terciar.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor nuk varet vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por kryesisht nga ofrimi i shërbimeve profesionale, të sigurta dhe të përqendruara në nevojat e pacientëve.
Ai e cilësoi cilësinë si përkushtim të vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësorë ndaj pacientëve dhe profesionit të tyre.
Vitia theksoi se zhvillimi i sistemit shëndetësor është proces që kërkon angazhim dhe bashkëpunim, pasi, sipas tij, asnjë institucion apo shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat në këtë fushë.
Ministri tha se Kosova mbetet e përkushtuar në avancimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore, në bashkëpunim me profesionistët, institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin akademik.
Rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në këtë sektor e theksoi edhe ambasadorja zvicerane, Anne-Lise Cattin Hennin.
Ajo tha se qasja në kujdes shëndetësor është thelbësore, por nuk mjafton nëse pacientët nuk mund të mbështeten në shërbime të sigurta, efektive dhe që u përgjigjen nevojave të tyre.
Ambasadorja përmendi mbështetjen e Zvicrës përmes projekteve për kujdesin shëndetësor cilësor dhe të qasshëm, si dhe shërbimet e integruara shëndetësore, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së kujdesit dhe orientimin e sistemit drejt pacientit.
Sipas saj, përmes këtij bashkëpunimi është mbështetur edhe zhvillimi i sistemit të menaxhimit të cilësisë dhe forcimi i kapaciteteve institucionale.
Cattin Hennin theksoi se përmirësimi i cilësisë nuk përfundon me vendosjen e standardeve dhe procedurave, por kërkon krijimin e një kulture të përgjegjësisë së përbashkët, ku përfshihen politikëbërësit, menaxherët dhe profesionistët shëndetësorë.
Konferenca e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë po mbahet nën moton “Investojmë në cilësi – Ndërtojmë besim”. Punimet profesionale vazhdojnë edhe më 12 nëntor, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Burimi: RTKLive





