Një aksident trafiku me dëme materiale në Ferizaj ka çuar në zbulimin e një rasti të armëmbajtjes së paautorizuar, pasi Policia ka ndaluar një veturë BMW që dyshohej se ishte larguar nga vendi i aksidentit. Gjatë kontrollit, drejtuesi i saj ka deklaruar se posedonte një pistoletë për të cilën kishte leje, por jo autorizim për ta bartur jashtë shtëpisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 7 nëntor, rreth orës 21:40, në rrugën “Bilall Shala” në Ferizaj.
Burimet bëjnë të ditur se drejtuesi i veturës është Alban Jakupi, 40 vjeçar, i cili është ndaluar nga njësitë reaguese të Stacionit Policor në Ferizaj, pas dyshimeve se kishte qenë i përfshirë në një aksident trafiku dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjatë verifikimit, zyrtarët policorë e kanë pyetur nëse posedonte ndonjë send të kundërligjshëm, me ç’rast ai ka deklaruar se mbante me vete një pistoletë për të cilën kishte leje posedimi, por jo leje për bartje jashtë vendbanimit.
Pas kësaj, Jakupi është shoqëruar në stacion policor, ku hetuesit kanë sekuestruar përkohësisht një pistoletë të tipit SIG Sauer, një karikator, 10 fishekë të kalibrit 9 milimetra dhe lejen e armës.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, me autorizimin e së cilës është iniciuar procedura penale për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të Kodit Penal të Kosovës.
Pas intervistimit, 40-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




