Ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair ka deklaruar se Britania e Madhe duhet të ribashkohet me Bashkimin Evropian vetëm nëse ky i fundit reformohet dhe lejon më shumë inovacion në fushën e teknologjisë.
“Jam paraqitur sikur kam thënë se Britania thjesht duhet të kthehet dhe të ribashkohet me BE-në. Por unë nuk po them këtë, kjo është e kushtëzuar nga shumë faktorë“, kas thekuar Blair në një intervistë për gazetën The Sunday Times.

Sir Tony Blair, i cili ishte një kundërshtar i njohur i largimit të Britanisë nga BE-ja, i njohur si Brexit, tha për gazetën se “vërtet mendon se Brexit ishte një gabim i vërtetë“.
Megjithatë, ai shtoi se debati sot është ndryshe nga ai i vitit 2016, kur u mbajt referendumi për largimin nga BE-ja.
Duke iu referuar nevojës për inovacion teknologjik, ai tha se Evropa mund të jetë duke lëvizur në drejtimin e gabuar dhe se, sipas tij, kjo gjë ndoshta po ndodh aktualisht.
“Problemi me rikthimin tonë në Evropë është se, nëse them se revolucioni teknologjik është gjëja më e rëndësishme, dhe pastaj Evropa ecën në drejtimin e gabuar për sa i përket inovacionit teknologjik – gjë që mund ta bëjë dhe që, aktualisht, ndoshta po e bën – atëherë nuk mund të them se është ide e mirë që Britania të ribashkohet me të. Kjo është ajo që ka ndryshuar gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit“, u shprehë ai.
Ai argumentoi se Britania duhet të ketë si ambicie reformimin e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, shtoi se Britania duhet të jetë „e gatshme të largohet nga negociatat“ nëse nuk arrihet një marrëveshje e përshtatshme dhe se duhet ta forcojë ekonominë dhe sektorin e vet teknologjik.
Marrëveshja e re mes Britanisë dhe BE-së
Kryeministri Andy Burnham arriti këtë javë një marrëveshje me BE-në, të cilën e cilësoi si një marrëveshje me përfitime për të dyja palët.
Marrëveshja përfshin eksportet britanike të produkteve ushqimore, tregtimin e emetimeve të karbonit dhe një skemë për shkëmbimin e përvojave të të rinjve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe po nisin një partneritet digjital, i cili përfshin fusha si inteligjenca artificiale (AI) dhe teknologjia kuantike.
Ajo deklaroi se BE-ja dhe Britania kanë „potencial të jashtëzakonshëm për të inovuar së bashku“.
Kryeministri Andy Burnham u takua të premten në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
Sa i përket inteligjencës artificiale, Blair tha se “inteligjenca artificiale është si zjarri – mund të të gatuajë ushqimin, por mund edhe të ta djegë shtëpinë“.
Ai shtoi se rreziqet që vijnë nga inteligjenca artificiale janë “shumë të konsiderueshme“ dhe se teknologjia mund të përdoret si për të mirë, ashtu edhe për të keq.
„Kjo është një botë e re“, tha ai.
Blair shprehu shqetësimin se Britania e Madhe nuk ka të njëjtin „dinamizëm“ dhe „energji“ si vendet e tjera kur bëhet fjalë për sektorin teknologjik, i cili po ndryshon me shpejtësi.
Britania dhe BE-ja shqyrtojnë marrëdhëniet e ardhshme
Andy Burnham ishte të premten në Bruksel për të finalizuar fazën më të fundit të procesit të rivendosjes së marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian pas Brexit-it. Ky proces kishte nisur fillimisht nën paraardhësin e tij, Sir Keir Starmer.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, deklaroi se BE-ja mbetet „e hapur për të pasur marrëdhënien më të afërt të mundshme“ me Britaninë e Madhe.
Kryeministri britanik shtoi se, përtej marrëveshjes së fundit, “duhet të shqyrtojmë se cila është marrëdhënia e duhur afatgjatë“.
Ai tha se gjatë muajve të ardhshëm, përpara samitit të ardhshëm mes Britanisë dhe BE-së, të dyja palët do të zhvillojnë një proces joformal diskutimesh për të shqyrtuar mundësitë e ndryshme.
Megjithatë, ai nuk shkoi deri aty sa të diskutonte hapur mundësinë e ribashkimit të Britanisë me BE-në.
Udhëheqësja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, deklaroi se marrëveshja mes Britanisë dhe BE-së „nuk është e drejtë“, ndërsa Nigel Farage, lideri i Reform UK, e cilësoi atë si një „tradhti ndaj popullit britanik“.
Në fillim të këtij viti, Sir Tony Blair i kishte kërkuar kryeministrit Andy Burnham të rifillonte negociatat për mundësinë e ribashkimit të Britanisë me BE-në, por duke vendosur disa kushte.
Në një dokument të publikuar në shtator nga Instituti Tony Blair për Ndryshime Globale, ish-kryeministri shkruante:
„Duhet të jemi të qartë se duam të rikthehemi në një marrëdhënie formale me Bashkimin Evropian. Por kjo duhet të jetë një Evropë që ndjek një rrugë të besueshme drejt reformimit.“
„Kjo nuk ka të bëjë me përsëritjen e debateve të vitit 2016, por me një qasje të re, të mbështetur në realitetin e vitit 2026“, shtoi ai.
Burimi: RTKLive





