Futbollistët e Real Madridit kanë marrë makinat e tyre të reja zyrtare për këtë sezon, si pjesë e bashkëpunimit tradicional të klubit me prodhuesin gjerman BMW, që nisi në vitin 2022.

Zgjedhja më e popullarizuar në mesin e lojtarëve ishte sërish BMW XM Label, versioni më i fuqishëm i këtij SUV-i hibrid plug-in, me vlerë deri në 195 mijë euro. Këtë model e kanë zgjedhur 15 futbollistë të ekipit të parë, mes tyre edhe ylli anglez Jude Bellingham.
Megjithatë, pavarësisht se tashmë është pronar i një makine luksoze, 23-vjeçari nuk do të mund ta ngasë atë. Arsyeja është mjaft e pazakontë: Bellingham ende nuk ka patentë shoferi.
Në një intervistë për revistën “British Vogue”, mesfushori i Real Madridit ka treguar se është përpjekur ta marrë patentën që në adoleshencë, por angazhimet në karrierën e tij futbollistike vazhdimisht ia kanë pamundësuar këtë.
“Kur isha 17 vjeç, mendova se do ta kaloja provimin brenda dy muajsh. Por pastaj shkova në Gjermani dhe më pas gjeta justifikime”, ka rrëfyer ai me humor.
Bellingham tregoi se kishte provuar ta kalonte provimin edhe në Gjermani, por kishte pasur vështirësi me tabelat rrugore. Më vonë tentoi edhe provimin praktik në Spanjë, por pa sukses.
Gjatë kohës kur luante te Borussia Dortmundi, në stërvitje e dërgonin prindërit e tij, Mark dhe Denise, ose shoferët e klubit. Edhe në Madrid, ai shpesh është parë duke mbërritur në qendrën stërvitore të Valdebebasit me taksi, ndërsa bashkëlojtarët e tij vijnë me veturat e tyre luksoze.
Megjithatë, duket se mungesa e patentës nuk e shqetëson aspak futbollistin.
“Do të jem pasagjer për gjithë jetën time. Pse jo”, ka thënë Bellingham me shaka.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





