Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka takuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat, sipas saj, janë të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët.
Ajo ka vlerësuar se të dy shtetet janë të bashkuara nga e njëjta frymë dhe se nuk ka asgjë që i ndan, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Në takim është diskutuar edhe për orientimin strategjik të të dyja vendeve.
Presidentja Shiroka Pula ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit.
Ajo ka vlerësuar përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushtë dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve.
Shiroka Pula ka theksuar gjithashtu se marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të përkthehen në bashkëpunim konkret në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Sipas saj, Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë duke u zbatuar.





