Bashkimi Evropian (BE), ka reaguar sërish lidhur me Ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara, për të cilin thotë se bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Përmes deklaratës me shkrim, BE-ja thotë se ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës
“…BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe është i sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht. Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale…”
Gjithashtu, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare për të siguruar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe angazhimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të sigurohet”, thuhet në deklaratë./Klankosova.tv




