Këto çështje u diskutuan në takimin e tetë të Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për inovacionin, shoqërinë e informacionit dhe politikat sociale, të mbajtur më 8 tetor në Bruksel, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Në fushën e punësimit, Komisioni Evropian inkurajoi autoritetet e Kosovës të finalizojnë dhe miratojnë legjislacionin e vonuar për punësimin, balancën ndërmjet jetës profesionale dhe asaj private, si dhe sigurinë dhe shëndetin në punë. Po ashtu, kërkoi përfundimin e ristrukturimit të Agjencisë së Punësimit dhe forcimin e kapaciteteve të saj, me qëllim zbatimin më efikas të masave për uljen e papunësisë dhe joaktivitetit, veçanërisht te gratë në moshë pune.

BE-ja theksoi gjithashtu rëndësinë e sigurimit të burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për Inspektoratin e Punës, si dhe rritjen e transparencës në raportimin e aksidenteve në vendin e punës. Ndërkaq, vlerësoi zbatimin pilot të Skemës së Garancisë për të Rinjtë dhe inkurajoi krijimin e kushteve për zbatimin e saj të plotë.
Sa i përket mbrojtjes sociale, Komisioni Evropian vlerësoi progresin në reformimin e skemave të asistencës sociale, por theksoi nevojën për zbatimin e plotë të reformave, përfshirë miratimin e Ligjit për Asistencën Sociale dhe Përfitimet Sociale. Po ashtu, kërkoi monitorim të rregullt të shërbimeve sociale dhe trajtimin me përparësi të financimit të tyre nga komunat përmes një granti të veçantë.
Në fushën e digjitalizimit, BE-ja inkurajoi Kosovën të vazhdojë zbatimin e Strategjisë së Qeverisjes Elektronike 2023–2028 dhe Agjendës Digjitale 2023, si dhe të zgjerojë shërbimet që ofrohen për qytetarët dhe bizneset përmes platformës eKosova.
Komisioni kërkoi gjithashtu ndarjen e burimeve të mjaftueshme për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe planit të veprimit. Po ashtu, theksoi nevojën që legjislacioni i Kosovës të harmonizohet plotësisht me direktivat dhe rregulloret përkatëse të Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë kibernetike, identifikimit elektronik dhe komunikimeve elektronike.
Në fushën e politikave audiovizuale, palët u pajtuan se Kosova duhet të vazhdojë harmonizimin e legjislacionit me Direktivën për Shërbimet Mediatike Audiovizuale dhe Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Komisioni Evropian theksoi gjithashtu nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik.
Sa i përket arsimit, BE-ja vlerësoi progresin në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, zgjerimin e arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe miratimin e kurrikulës së re për fëmijët e moshës 0–6 vjeç.
Megjithatë, Komisioni theksoi se aftësitë bazë, shkencat, teknologjia, inxhinieria, matematika dhe digjitalizimi duhet të jenë prioritete në politikat arsimore. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës prezantuan masat për përmirësimin e rezultateve në lexim, matematikë dhe shkenca, pas rezultateve të testimit PISA.
Në arsimin dhe aftësimin profesional, të dyja palët theksuan nevojën për përshtatjen më të mirë të aftësive me kërkesat e tregut të punës, rishikimin e kurrikulave dhe profileve të aftësimit, si dhe riorganizimin e sistemit të financimit.
Komisioni Evropian kërkoi gjithashtu nga Kosova të miratojë Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe të vazhdojë angazhimin në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, BE-ja theksoi nevojën për investime të mëtejshme dhe financim të mjaftueshëm, me synimin që ndarjet buxhetore për këtë sektor të arrijnë rreth 1 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Po ashtu, inkurajoi Kosovën të vazhdojë punën për finalizimin e Strategjisë Kombëtare të Specializimit të Mençur.
Takimet e nënkomiteteve të MSA-së shërbejnë për të monitoruar reformat e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe për të identifikuar fushat ku Bashkimi Evropian mund të ndihmojë. Rekomandimet e dakorduara në këto takime shërbejnë si bazë për veprimet e mëtejshme të autoriteteve të Kosovës.
Burimi: RTKLive




