Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar De Groot për vizitën, ndërsa ka pranuar urime për zgjedhjen e presidentes së re, e cila, sipas njoftimit, mundësoi kthimin e stabilitetit institucional.
“Në këtë frymë u diskutua për mundësitë konkrete të shtimit të vëllimit të bashkëpunimit dhe të investimeve të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, Kurti ka folur edhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike, për të cilën ka marrë përgëzime, si dhe për planet e investimeve në sektorë të ndryshëm.
“Teksa përmendi rritjen e qëndrueshme ekonomike, për çka mori përgëzime, kryeministri Kurti foli për planet për investime në hekurudha, ndërtimin e pesë digave të reja, sikurse në infrastrukturën sportive si përgatitje për Lojërat Mesdhetare 2030”, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, në takim është diskutuar për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes dhe për sektorin e energjisë, përkatësisht kapacitetet e reja dhe diversifikimin e burimeve.
Burimi: RTKLive




