Bayern Munich ka zhgënjyer në javën e 10-të të Bundesligës, duke barazuar 1-1 në shtëpi ndaj Kolnit dhe duke rrezikuar pozitën e parë në tabelën e kampionatit gjerman.

Bavarezët e nisën më mirë takimin dhe në minutën e pestë patën një mundësi të artë për të kaluar në epërsi, por goditja me kokë e Harry Kane përfundoi në shtyllën e majtë.
Megjithatë, Kolni ishte skuadra që zhbllokoi rezultatin. Në minutën e 12-të, Mikey Moore shfrytëzoi asistimin e Said El Malas, duke dalë i vetëm përballë portierit dhe duke realizuar për 1-0.
Bayerni mori një goditje tjetër në minutën e 20-të, kur Kane u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një lëndimi, ndërsa në vend të tij u inkuadrua Tom Bischof.
Skuadra e Vincent Kompanyt arriti të rikthehej në lojë në minutën e 37-të. Nathaniel Brown pranoi një pasim të bukur nga Bischof, depërtoi drejt qendrës dhe me një goditje të fuqishme dërgoi topin në këndin e poshtëm të portës për 1-1.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar. Fillimisht, Lennart Karl rrezikoi për Bayernin në minutën e 54-të, por goditja e tij përfundoi pranë shtyllës.
Kolni ishte shumë pranë golit të dytë katër minuta më vonë, kur Linton Maina doli i lirë para portës, por portieri Jonas Urbig reagoi shkëlqyeshëm për ta shpëtuar skuadrën vendase.
Edhe Said El Mala pati një tjetër rast të mirë në të njëjtën minutë, por nuk arriti ta mposhtte Urbigun.
Në vazhdim, Kompany bëri disa ndryshime në formacion, duke inkuadruar edhe Jamal Musialan, por Bayerni nuk arriti të gjente golin e fitores, pavarësisht përpjekjeve deri në fund.
Me këtë barazim, Bayern Munich shkon në kuotën e 22 pikëve dhe rrezikon ta humbasë pozitën e parë në tabelë, nëse Borussia Dortmundi fiton ndeshjen e saj të kësaj jave./Telegrafi/





