Barcelona po përgatitet të ndahet nga Alejandro Balde gjatë afatit kalimtar të janarit, me Manchester Unitedin, Chelsean dhe Juventusin që kanë shfaqur interesim për transferimin e mbrojtësit të majtë.

Sipas gazetës spanjolle SPORT, drejtuesit e klubit katalunas tashmë kanë vendosur se Balde nuk është pjesë e planeve të tyre afatgjata, por po e menaxhojnë me kujdes situatën për të mos dëmtuar vlerën e tij në treg.
Pavarësisht rolit të reduktuar nën drejtimin e Hansi Flickut, Barcelona vazhdon ta mbështesë publikisht futbollistin, në mënyrë që të mos krijojë probleme në raportet me të dhe përfaqësuesit e tij.
Në vend që ta shtyjnë drejtpërdrejt drejt largimit, katalunasit shpresojnë që vetë lojtari të kërkojë largimin. Madje, atij i është bërë e ditur se klubi nuk do t’i dalë pengesë nëse vendos të largohet.
Agjenti i tij, Jorge Mendes, kishte sugjeruar largimin edhe gjatë verës, por atëherë Balde kishte këmbëngulur për të luftuar për vendin e tij në Barcelonë. Tani, sipas raportimeve, Mendes e ka bindur se një aventurë e re mund të jetë zgjidhja më e mirë për karrierën e tij.
Përfaqësuesi portugez së fundmi ka udhëtuar drejt Barcelonës për të diskutuar me rrethin e futbollistit, ndërsa ka shqyrtuar mundësitë për një transferim në Ligën Premier ose në Itali.
Manchester United dhe Chelsea janë ndër klubet që po e monitorojnë situatën, pasi synojnë të përforcohen në krahun e majtë të mbrojtjes. Interesim për të ka shfaqur edhe Juventusi.
Barcelona preferon shitjen përfundimtare dhe ia ka vendosur një çmim prej 40 milionë eurosh mbrojtësit, por Balde mund të preferojë një huazim me mundësi blerjeje. Vendimi përfundimtar pritet të varet edhe nga dëshira e vetë lojtarit./Telegrafi/





