Leutrim Syla, avokat i familjes së Liridona e Ademajt ka reaguar pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet e shqiptuara ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm, si dhe dënimin prej 30 vjetësh burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

“Gjatë procesit gjyqësor na erdhi një mesazh nga fëmijët e Liridonës, Dioni e Diari, se duan që këtë rrobë të tyre me emrat e tyre në të t’ia dërgojnë te varri të ëmës. Procesi veçse kishte filluar e udhëtimi i tyre për në Kosovë dukej vite drite larg në horizontin e dëshirës së tyre. Sidoqoftë, rroba u dërgua tek varri, dhe fotografitë ngushëlluese ju dërguan dy engjëjve të Liridones. U kaplova nga emocionet dhe mërzia e tyre që mu transmetua me apo pa dëshirën time. Duhej vendimi i plotfuqishëm gjyqësor që të hapte rrugën e besimit të tyre familjes së Liridonës. Më kaploi një ndjenjë përgjegjësie e barre që të thyen krahë e kocka, të dërrmon shpirtin e të struk në pafuqi si një grimcë dheu para uraganit”, shkroi ai në Facebook.
Por, ai ka theksuar se asnjëherë e kishte humbur shpresën duke besuar se Naim Murseli do ta merrte dënimin e merituar.
“Sidoqoftë, asnjëherë nuk humba shpresën që nuk isha vetëm. Shpresova në Gjyqësor, e Prokurori, sepse Policia veçse e kishin kaluar testin e tyre që më kohë (kishin zbuluar rastin në afat rekord e kishin mbledhur provat e mjaftueshme për t’u ngritur aktakuzë e për t’u dënuar të gjithë të dyshuarit. Secila seancë sa sqaronte situatën, aq shtonte presionin për atë që prisnin nga ne Dioni e Diari. Vendimi në shkallë të parë u dha”, theksoi ai.
Një ditë më parë, Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetuar dënimet e shqiptuara ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm, si dhe dënimin prej 30 vjetësh burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Burimi: Insajderi





