Më 29 shtator 1947 filloi “gjyqi më i madh për vrasje në histori”. Shtatëdhjetë vjet më vonë, kryeprokurori Ben Ferencz i tregoi BBC-së se si luftoi për t’i nxjerrë 22 vrasës para drejtësisë.
Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: ‘No one showed any sign of remorse’: The heroic US lawyer who put Nazi death squad members on trial at Nuremberg)
Përkthimi: Telegrafi.com
“Kam shkruar diku se kisha hedhur shikimin në ferr – mendoj se ferri do të ishte parajsë krahasuar me atë që pashë”.
Në vitin 2017, Ben Ferencz i tregoi BBC-së për skenat rrëqethëse që kishte parë në kampin e përqendrimit Buhenvald në fund të Luftës së Dytë Botërore – një përvojë e cila parapriu që ai, në moshën 27-vjeçare, të bëhej prokurori më i ri amerikan në gjyqet për krime lufte në Nuremberg.
Ferencz – njujorkezi hebre me prejardhje hungareze, i cili u regjistrua në ushtri sapo u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Harvardit në vitin 1943 – zbarkoi në plazhet e Normandisë. Më vonë, si hetues i krimeve të luftës, ai ishte një nga ushtarët e parë amerikanë që hynë në kampet e sapoçliruara naziste të vdekjes. Ai parapëlqente të mos i diskutonte ato kujtime, siç i tha Zeinab Badawit në vitin 2017. “Nuk më pëlqen të flas shumë për këtë, sepse e kam të vështirë t’i kontrolloj emocionet e mia”.
Megjithatë, edhe në moshën 97-vjeçare ai ishte në gjendje të rrëfente me hollësi atë që kishte parë. “Mund t’jua përshkruaj mjaft qartë, sepse kujtimi është shumë i ngulitur në mendjen time. Por, në të njëjtën kohë, nuk do ta kuptoni kurrë se si ishte, sepse mendja racionale njerëzore nuk mund ta rrokë plotësisht”. Ai kujtonte se kishte parë trupa në tokë kur hyri në Buhenvald dhe të burgosur aq të dobësuar sa ishin “skelete të veshura me lecka”.
Kur Ferenczi u kthye në Nju Jork në vitin 1945, Pentagoni (selia e Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së) e pyeti nëse mund të ndihmonte me gjyqet që po zhvilloheshin në Nuremberg. “Shtetet e Bashkuara, në veçanti, mendonin se Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar kundër Hermann Göringut ishte vetëm një shkrepje e një mostre të vogël”, tha ai.
“Dhe, për të kuptuar vërtet se si një vend i qytetëruar si Gjermania mund të kryente dhe të toleronte llojin e mizorive që u kryen, duhet të kuptoni pozitën e mjekëve që kryenin eksperimente mjekësore, të avokatëve dhe gjykatësve që shtrembëruan ligjin, të vrasësve të SS-it, natyrisht, që kryenin vetë vrasjet, dhe të industrialistëve që i detyronin njerëzit të punonin deri në vdekje. Të gjitha këto ishin grupe të veçanta”.
Ferenczit iu caktua detyra të “merrte një mostër nga secili prej këtyre grupeve” për të ndihmuar në shpjegimin e veprimeve të tyre. Ai fluturoi për në Berlin, ku ai dhe një ekip prej rreth 50 studiuesish kontrolluan imtësisht arkivat naziste për prova të krimeve të kryera nga gjermanë të të gjitha shtresave të shoqërisë.
Pastaj, ekipi i tij bëri një zbulim të papritur. “Një nga hulumtuesit e mi … hasi në raportet ditore të këtyre skuadrave të posaçme të shfarosjes, puna e të cilave ishte të vrisnin, pa mëshirë apo pendesë, çdo burrë, grua dhe fëmijë hebre që mund të kapnin … dhe çdo kundërshtar tjetër të perceptuar ose të dyshuar të Rajhut”.
Hulumtuesit kishin gjetur prova të vrasjeve të kryera nga ato që quheshin Einsatzgruppen ose skuadra të lëvizshme të vdekjes që ndiqnin ushtrinë gjermane teksa ajo pushtonte shtetet. Vlerësohej se deri në tre mijë burra gjermanë kishin qenë anëtarë të këtyre njësive vrasëse, duke kryer operacione të pushkatimeve masive në shumë vende, përfshirë Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik.
Ferencz besonte se anëtarët e Einsatzgruppen-it duhej të viheshin në bankën e të akuzuarve në Nuremberg, secili i akuzuar për vrasje masive – por, shpejt hasi në një pengesë. “Asnjë gjyq i tillë nuk ishte planifikuar. Fluturova nga Berlini për në Nuremberg, fola me gjeneralin Telford Taylor [kryeprokurorin amerikan për gjyqet e krimeve të luftës] dhe ai tha: ‘Nuk mund ta zhvillojmë këtë gjyq tani, sepse të gjithë avokatët tashmë janë caktuar. Gjyqet janë në zhvillim. Pentagoni nuk e ka miratuar. Dyshoj se do ta miratojë’”.
Megjithatë, Ferencz ishte këmbëngulës. “Thashë: ‘Kam këtu në dorë shembuj të vrasjeve masive në një shkallë që nuk është parë kurrë më parë në historinë njerëzore. Nuk mund t’i lini këta njerëz të ikin’. [Taylor] tha: ‘A mund ta bësh këtë krahas punës tjetër?’ Dhe unë thashë: ‘Sigurisht.’ Dhe, e bëra … Ishte rastësi që u bëra kryeprokuror”.
Ai shpjegoi se si i përzgjodhi të akuzuarit sipas një sërë kriteresh. I pari ishte që ata duhej të ishin në paraburgim, sepse “nëse i ke provat dhe nuk e ke të burgosurin, nuk ke asgjë”. Megjithatë, ai nuk donte të ndiqte penalisht vetëm ushtarët e rangut të ulët. “Zgjodha ata me gradat më të larta dhe më pas kontrollova prejardhjen e tyre nga dosjet e Partisë Naziste, të cilat i kapëm në Berlin. Kishin përparësi ata që kishin doktoratura ose ishin gjeneralë”.
Edhe atëherë ai mund të ndiqte penalisht vetëm një pjesë të vogël të autorëve. “Nga tre mijë, të gjithë bashkëfajtorë në vrasje masive … zgjodha 22. Pse jo 28? Sepse kishim vetëm 22 vende në bankën e të akuzuarve. A është absurde kjo? Sigurisht që është absurde. Kishte vetëm 22 vende në bankën e të akuzuarve për Hermann Göringun dhe të tjerët. Pra, ke një përzgjedhje nga një mostër. Kaq është”.
Ai i njihte kufizimet e gjyqit që në atë kohë. “Kurrë nuk parashikova apo u përpoqa të vija drejtësi në kuptimin e gjerë, duke bërë që çdo kriminel të jepte llogari. Kjo do të kishte qenë praktikisht e pamundur”.
Ferencz tregoi kujdes në përzgjedhjen e secilit prej burrave, për t’u siguruar që ekipi i tij kishte prova përtej çdo dyshimi për fajësinë e të pandehurit. “Kisha raportin e tij, tepër sekret, drejtuar komandantëve të tij, ku thuhej se sa njerëz kishte ekzekutuar”. Megjithëse pranoi se raportet mund të mos kishin qenë plotësisht të sakta – “e ekzagjeronin numrin e të vrarëve” – ai tha se ishte “broçkull” mbrojtja se këta burra thjesht po zbatonin urdhrat e eprorëve të tyre, sepse ata i kishin zbatuar urdhrat “me aq entuziazëm, sa donin të mburreshin se sa njerëz kishin vrarë”.
Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm, tha Ferencz. “Askush nuk tregoi kurrë asnjë shenjë pendese … Këta njerëz shkruan faqen më të errët në historinë njerëzore. Njerëzit u vranë sepse nuk kishin të njëjtën racë, ngjyrë dhe ideologji me ekzekutuesit e tyre. Unë bëra thirrje për një sundim të ligjit që, në të ardhmen, do t’i mbronte njerëzit nga ai lloj mizorie”.
Associated Press e quajti atë “gjyqin më të madh për vrasje në histori”. Gjykata shpalli fajtorë 20 zyrtarë nazistë për krime lufte për rolin e tyre në vrasjen e më shumë se një milion njerëzve. Dy të pandehur të tjerë u shpallën fajtorë për anëtarësim në një organizatë kriminale, por u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ferencz kujtoi deklaratën e tij në gjykatë gjatë intervistës për BBC-në: “Këtu ne zbulojmë vrasjen e më shumë se një milion burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm dhe të pambrojtur. Hakmarrja nuk është qëllimi ynë. As nuk kërkojmë thjesht një ndëshkim të drejtë. I kërkojmë kësaj gjykate që, përmes veprimit penal ndërkombëtar, të pohojë të drejtën e njeriut për të jetuar në paqe dhe me dinjitet, pavarësisht nga raca apo besimi i tij. Çështja që paraqesim është një thirrje e njerëzimit drejtuar ligjit”.
Më vonë, ai u bë një zë i rëndësishëm në fushën e krimeve të luftës, duke luajtur rol vendimtar në krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në vitin 1998. Kur u pyet në vitin 2017 se çfarë kishte mësuar për natyrën e së keqes dhe aftësinë e njerëzve për të kryer akte të tmerrshme dhune kundër njerëzve të tjerë, ai tha: “Mësova se lufta i shndërron në vrasës, në vrasës masivë, njerëz që përndryshe janë të ndershëm. Dhe, kjo vlen për të gjitha luftërat dhe të gjitha kombësitë, dhe unë e kam parë këtë në të gjitha luftërat”.
Edhe krimet më të tmerrshme të luftës nuk kryhen nga “kafshë të egra”, theksoi ai. “Këta janë patriotë që përpiqen të bëjnë detyrën e tyre për të mbrojtur ose fenë e tyre, ose kombësinë e tyre, ose sigurinë e tyre ekonomike … Këto nuk janë krime të kryera nga djaj me brirë. Ato kryhen nga njerëz të arsimuar, me qëllime të mira dhe patriotë”.
Ferencz besonte se na takonte të gjithëve “të ndryshojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve, në mënyrë që ata ta kuptojnë se nuk është burracakëri të jesh i gatshëm për kompromis, të jesh pajtues dhe të tregosh dhembshuri në marrëdhëniet me njerëzit që kanë pikëpamje të tjera”.
Ai pranoi se ky “riedukim i shpirtit njerëzor” do të ishte një punë e gjatë dhe e vështirë. Por, që nga Nurembergu ishte bërë një përparim. “Dhe, unë them: mos hiqni dorë. Ligji është gjithmonë më i mirë se lufta”. /Telegrafi/




