Zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur se edukimi në fëmijërinë e hershme do të jetë njëra nga katër shtyllat kryesore të strategjisë së re të arsimit në Kosovë.
Gjatë diskutimit të organizuar nga Komisioni për Arsim dhe Shkencë, me temën “Sfidat dhe prioritetet në Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës”, Kryeziu ka theksuar rëndësinë e edukimit të hershëm për zhvillimin socio-emocional të fëmijëve dhe ngritjen e cilësisë së arsimit.

Sipas tij, studimet tregojnë se nxënësit që kanë ndjekur edukimin në fëmijërinë e hershme performojnë vazhdimisht më mirë sesa ata që nuk e kanë pasur këtë mundësi.
Kryeziu ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit synon zgjerimin e rrjetit të çerdheve publike dhe zhvillimin e formave të tjera të edukimit në këtë fazë.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se rezultatet e testit ndërkombëtar PISA shpërfaqin dobësitë serioze të sistemit arsimor në Kosovë.
Hoxhaj ka theksuar se deri më tani nuk ka pasur një debat të mirëfilltë për strategjinë e Ministrisë së Arsimit, duke ngritur si çështje të rëndësishme edhe vlerësimin e nxënësve, tekstet shkollore dhe ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës.
Ai ka nënvizuar se cilësia e arsimit varet në masë të madhe nga përgatitja, puna dhe kushtet e mësimdhënësve në klasë.
Sipas Hoxhajt, një nga sfidat kryesore mbetet përgatitja e të rinjve për tregun e punës, si dhe nevoja për të adresuar problemet që pasqyrohen nga rezultatet e vlerësimeve ndërkombëtare.
Burimi: RTKLive




