Arsenali ka identifikuar pesë objektiva për afatin kalimtar të janarit, me synimin për të përforcuar skuadrën e Mikel Artetës dhe për të rritur konkurrencën në disa pozita, në mënyrë që të jetë sa më i përgatitur për Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, londinezët nuk pritet t’i transferojnë të pesë futbollistët, por të gjithë janë pjesë e listës së objektivave të klubit.
Sipas raportimeve të Football.london, BILD, TEAMtalk, Het Laatste Nieuws dhe 90min, drejtuesit e Arsenalit po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të pesë emrave të njohur të futbollit evropian: Antonio Nusa, Finn Jeltsch, Maxim De Cuyper, Nicolò Tresoldi dhe Eli Junior Kroupi.
Antonio Nusa, prioriteti kryesor që mund të kushtojë mbi 80 milionë euro
Sulmuesi anësor norvegjez i Leipzigut është objektivi numër një i Arsenalit në repartin ofensiv, sipas gazetarit Tom Canton.
Megjithatë, klubi gjerman nuk dëshiron ta lejojë largimin e tij në janar dhe synon ta mbajë deri në verë, kur mund të kërkojë mbi 80 milionë euro për kartonin e tij.
Finn Jeltsch, qendërmbrojtësi që kushton 50 deri në 60 milionë euro
Arsenali po e përcjell nga afër qendërmbrojtësin gjerman Finn Jeltsch, për të cilin Stuttgart mund të kërkojë nga 50 deri në 60 milionë euro gjatë verës.
Largimi i tij në janar konsiderohet pothuajse i pamundur, ndërsa në garë janë edhe Manchester United, Juventusi dhe Bayern Munichu.
Maxim De Cuyper, mbrojtësi i majtë që kërkohet nga gjashtë gjigantë
Arsenali është i interesuar edhe për reprezentuesin belg Maxim De Cuyper, i cili ka regjistruar 28 paraqitje dhe katër gola me kombëtaren.
Brightoni, që ka kontratë me të deri në vitin 2030, kërkon rreth 60 milionë euro. Për të interesohen edhe Liverpooli, PSG-ja, Milani, Juventusi dhe Roma.
Nicolo Tresoldi, golashënuesi që mund të kushtojë 50 milionë euro
Sulmuesi i Club Brugge, Nicolo Tresoldi, është një tjetër emër në listën e Arsenalit. Ai ka shënuar 16 gola këtë sezon, pesë prej tyre në Ligën e Kampionëve.
Klubi belg dëshiron ta mbajë deri në verë, ndërsa vlera e tij e përfolur në treg arrin rreth 50 milionë euro.
Eli Junior Kroupi, zëvendësuesi i mundshëm i Kai Havertz
Arsenali ka rikthyer interesimin për sulmuesin francez Eli Junior Kroupi, i cili mund të luajë në disa pozita në repartin ofensiv. Ai shihet si një alternativë për Kai Havertzin, në rast të largimit të gjermanit.
Megjithatë, Bournemouthi nuk dëshiron ta shesë në janar, ndërsa për Kroupin interesohen edhe Barcelona, Tottenhami dhe PSG-ja./Telegrafi/





