Të kërkuar nga drejtësia italiane për torturë, skllavëri e vjedhje me dhunë – arrestohen dy shqiptarë në Shkodër dhe Vorë

Policia e Shtetit ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë në Itali, raporton Gazeta Sinjali.
Operacionet për kapjen e tyre janë zhvilluar në Shkodër dhe Vorë, me qëllim ekstradimin e të dyshuarve drejt shtetit italian.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njëri prej të arrestuarve është i dënuar me 7 vite e 11 muaj burgim për veprën penale të vjedhjes me dhunë dhe vepra të tjera penale. Ndërkaq, personi i dytë ka një dënim aktiv prej 4 vitesh burgim për veprat e rënda penale të torturës dhe skllavërisë.
Policia bën të ditur se të dy personave u kanë mbetur ende pjesë të dënimeve për të vuajtur, ndaj ndaj tyre janë iniciuar menjëherë procedurat ligjore për dorëzimin te autoritetet italiane.
Aktualisht, Interpol Tirana, në koordinim të ngushtë me homologët italianë, është duke vijuar me procedurat e nevojshme për ekstradimin e këtyre dy shtetasve drejt Italisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





