Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka ngritur shqetësime për furnizimin me mish të institucioneve vitale të Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e mishit brazilian të dyshuar si të skaduar.

Në një postim në Facebook, Arifi ka përmendur Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, QKUK-në, spitalet, Kuzhinën Qendrore dhe çerdhet, si institucione që, sipas tij, rrezikohen nga furnizimi me produkte të pasigurta ushqimore.
Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian e kishte pezulluar importin e mishit brazilian që nga 3 shtatori, ndërsa Ministria e Bujqësisë në Kosovë kishte përzgjedhur përmes një tenderi me vlerë afro katër milionë euro kompaninë Apetit për furnizimin me mish të 73 institucioneve.
Arifi ka përmendur edhe dy raste të bëra publike më 15 dhe 25 shtator në Mal të Zi, ku, sipas tij, autoritetet kishin ndaluar 103 tonë mish brazilian të skaduar, të lidhur me këtë kompani. Ai ka theksuar se rreth 78 tonëve u ishin ndryshuar etiketat për t’ua ndryshuar afatin e përdorimit, ndërsa pjesa tjetër kishte skaduar në qershor.
Në reagimin e tij, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës ka rikujtuar edhe raportimet e vitit 2024 se kompania Apetit kishte përfituar grant prej 200 mijë eurosh nga Ministria e Bujqësisë, në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Faton Peci.
Arifi ka përmendur gjithashtu reagimin e Pecit, i cili, sipas tij, i kishte cilësuar si shpifje dyshimet e ngritura nga deputetët e Aleancës për mishin brazilian.
Në fund, Arifi ka kërkuar përgjegjësi për rastin, duke ngritur pyetjen se kush do të japë llogari për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve dhe furnizimin e institucioneve vitale me produkte ushqimore të pasigurta.
“A ka dikush në këtë vend që shkon në përgjegjësi për helmimin e popullit të Kosovës dhe institucioneve vitale të saj?”, ka shkruar Arifi./Klankosova.tv




