Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, si dhe të tre të akuzuarve të tjerë në rastin e “Rezervave shtetërore”.

Me këtë vendim, Apeli ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më herët kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.
Në njoftimin e publikuar më 13 nëntor 2026, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të palëve, ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë është marrë në përputhje me dispozitat e procedurës penale dhe mbështetet në provat e dëshmitë e administruara në këtë çështje.
Më 13 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve të Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit.
Mbrojtja kishte pretenduar se dosja e rastit ishte klasifikuar si “Sekret shtetëror”, se të akuzuarit nuk kishin pasur qasje të plotë në shkresat e lëndës dhe se disa nga provat ishin siguruar në kundërshtim me ligjin. Po ashtu, ishin kontestuar afatet e hetimeve, duke kërkuar përjashtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale kishte kundërshtuar këto pretendime, duke argumentuar se veprimet e secilit të akuzuar ishin përshkruar dhe individualizuar në aktakuzë dhe se nuk ekzistonte bazë ligjore për përjashtimin e provave apo hedhjen e saj.
Me vendimin e Apelit, procedura penale ndaj katër të akuzuarve do të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Aktakuza për dëmin prej afro 2.9 milionë eurosh
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e kishte ngritur aktakuzën më 11 nëntor 2025 ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarit të MINT-it, Irfan Lipovica, ish-drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Sipas aktakuzës, Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa Muharremi për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës në këtë rast kap vlerën prej 2,912,134.78 eurosh.
Në aktakuzë pretendohet se tre zyrtarët, duke iu shmangur procedurave të konkurrencës dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, kishin negociuar dhe nënshkruar kontratë me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” për blerjen e 10 mijë tonëve grurë, në vlerë prej 4,834,778 eurosh.
Sipas aktakuzës, çmimi i kontraktuar për grurin ishte 193.48 euro më i lartë për njësi sesa çmimi mesatar i tregut.
Po ashtu, Prokuroria pretendon se Hajdari, Lipovica dhe Gara kishin negociuar dhe nënshkruar kontratë me kompaninë polake “Xanto SP. ZO. O” për blerjen e 200 mijë litrave vaj dhe 120 mijë kilogramëve sheqer, por se, pavarësisht pagesës së kryer, këto produkte nuk ishin pranuar asnjëherë.
Një tjetër pretendim i aktakuzës lidhet me zbulimin e fshehtësisë zyrtare. Sipas Prokurorisë, Hajdari, Lipovica dhe Gara i kishin vënë në dispozicion Ridvan Muharremit informacione për vendndodhjen e deponimit të grurit, si pjesë e rezervave shtetërore.
Të akuzuarit i mohojnë pretendimet e Prokurorisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Burimi: Insajderi




