Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka dhënë dorëheqjen nga posti diplomatik në Athinë, pas raportimeve për një sërë pretendimesh lidhur me sjelljen e saj, përfshirë një akuzë se i kishte kërkuar një ish-donatori të presidentit Donald Trump t’i paguante faturën e kartës së kreditit American Express.
Largimi i saj vjen pas raportimeve të The Wall Street Journal për veprimtarinë e ambasadores dhe konfirmimit nga Shtëpia e Bardhë se administrata amerikane i kishte kërkuar të largohej nga posti.

Në një deklaratë të gjatë të publikuar në platformën X, Guilfoyle falënderoi presidentin Trump dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për besimin e dhënë, ndërsa i mohoi kategorikisht akuzat.
“Shërbimi si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Greqi ka qenë nderi i jetës sime. Do t’i jem përjetësisht mirënjohëse presidentit Donald Trump dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio që më besuan privilegjin e jashtëzakonshëm të përfaqësimit të vendit tonë”, shkroi ajo.
Sipas raportimeve të The Wall Street Journal, Guilfoyle është përballur me pretendime për kërcënimin e një zyrtari grek, pranimin e dhuratave dhe shërbimeve të papërshtatshme, si dhe përdorimin e mundshëm të ndikimit të saj në administratën amerikane për përfitime personale.
Një nga pretendimet kryesore lidhet me një faturë të konsiderueshme të kartës së kreditit American Express, të cilën ambasadorja dyshohet se i kishte kërkuar një ish-donatori të Trump ta paguante, në këmbim të përdorimit të ndikimit të saj politik.
Të hënën, presidenti Trump kishte deklaruar se administrata po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të Guilfoyle dhe se nuk ishte e kënaqur me situatën.
Një ditë më vonë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, konfirmoi se ambasadores i ishte kërkuar të jepte dorëheqjen.
“I kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë një pjesëtare shumë e vlefshme e ekipit dhe i urojmë gjithë të mirat”, deklaroi Zacharia.
Guilfoyle ka kundërshtuar pretendimet ndaj saj, duke paralajmëruar se do të mbrojë reputacionin dhe integritetin e vet.
“Këto akuza janë të pavërteta dhe kam ndërmend të mbroj me vendosmëri emrin, reputacionin dhe integritetin tim”, shkroi ajo.
Përmes avokatëve të saj, ish-ambasadorja ka hedhur poshtë edhe pretendimet e biznesmenit amerikan dhe ish-kandidatit politik Eric Deters.
Sipas përfaqësuesve të saj ligjorë, Deters i detyrohet Guilfoyle rreth 150 mijë dollarë për fjalime dhe shërbime konsulence. Ata kanë deklaruar gjithashtu se ajo kishte refuzuar një ofertë prej një milion dollarësh për të promovuar një çështje private gjyqësore.
Sa u përket pretendimeve për dhurata dhe udhëtime me avionë privatë, avokatët e saj kanë thënë se Guilfoyle kishte kërkuar udhëzime nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe kishte respektuar rregullat përkatëse të etikës.
Në deklaratën e saj të largimit, Guilfoyle vuri në pah arritjet që, sipas saj, karakterizuan mandatin në Athinë. Ajo përmendi marrëveshjet për zgjerimin e eksporteve amerikane të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës.
Gjithashtu, ajo veçoi përparimin e projektit energjetik Vertical Corridor, i cili synon të ndihmojë në uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse, si dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik ndërmjet SHBA-së dhe Greqisë, aleate në NATO.
Pavarësisht largimit nga posti diplomatik, Guilfoyle tha se mbështetja e saj për presidentin amerikan mbetet e pandryshuar.
“Përkushtimi im ndaj presidentit Trump, lëvizjes America First dhe vendit që dua nuk do të përfundojë kurrë”, deklaroi ajo.
Dorëheqja shënon fundin e mandatit të Guilfoyle në Greqi, ndërsa pretendimet e raportuara ndaj saj mbeten të mohuara nga ish-ambasadorja dhe përfaqësuesit e saj ligjorë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ambasadorja amerikane në Greqi jep dorëheqjen pas akuzave për sjellje të papërshtatshme appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




