Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka falënderuar Prishtinën dhe të gjithë pjesëmarrësit në edicionin e 26-të të Festivalit të Filmit Frankofon, i cili javën e kaluar solli në ekranin e madh filma në gjuhën frënge, shkruan Telegrafi.

Përmes një postimi, ambasada ka ndarë disa nga momentet e festivalit, duke veçuar ceremoninë hapëse, ku mbajtën fjalime ambasadorët e Francës dhe Zvicrës, si dhe mbrëmjen e filmit zviceran të organizuar të premten.
Gjatë mbrëmjes së së premtes, pas fjalës së shkurtër të zëvendësshefit të Misionit të Zvicrës, të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin Les Indes, një bashkëprodhim zvicerano-spanjoll që i dërgoi ata në një udhëtim nëpër Evropën e shekullit XVII.
Ambasada e Zvicrës ka shprehur gjithashtu mirënjohje për partnerët nga Belgjika, Kanadaja, Franca dhe Luksemburgu, si dhe për të gjithë ata që morën pjesë në festival.
“Faleminderit, Prishtinë! Shihemi herën tjetër!”, thuhet në mesazhin e ambasadës./Telegrafi/





