Në njoftimin për mediat, Policia e Shtetit bën të ditur se strukturat e specializuara po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Autoritetet nënvizojnë se mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme janë përcjellë përmes adresave elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
“Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit”, sqaron Policia.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende origjinën përfundimtare të mesazhit dhe as identitetin e personave që qëndrojnë pas dërgimit të tij. Verifikimi i adresës elektronike nga e cila është përcjellë kërcënimi mbetet një prej elementeve të hetimit, ndërsa burimi i mesazhit dhe autenticiteti i tij janë ende objekt verifikimi.
“Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.
Hetimet po zhvillohen nga strukturat e specializuara të hetimit kibernetik dhe antiterrorit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Deri në përfundimin e verifikimeve, mbetet e paqartë nëse kërcënimi ka pasur një autor të identifikueshëm dhe nëse mesazhi përbën një kërcënim real apo një alarm të rremë.
Burimi: RTKLive




