Një 51-vjeçar nga Maqedonia e Veriut po përballet me akuza për vrasje të shumëfishtë të mbetur në tentativë, pasi dyshohet se në janar të vitit 2024 qëlloi pesë ose gjashtë herë ndaj dy policëve kantonalë në Watt të Zvicrës.

Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 19 vjetësh e tetë muajsh burgim.
Rasti është shqyrtuar para Gjykatës së Qarkut në Dielsdorf, nën masa të mëdha sigurie, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Të gjithë personat që hynin në gjykatë iu nënshtruan kontrolleve, ndërsa policët që shoqëronin të akuzuarin u paraqitën me fytyra të mbuluara.
Dy policët u qëlluan gjatë një kontrolli
Ngjarja kishte ndodhur më 17 janar 2024, rreth orës 22:45, në një zonë banimi në Watt.
Sipas aktakuzës, policia kishte marrë një njoftim për një person të dyshimtë. Kur dy policët kantonalë shkuan për ta kontrolluar, 51-vjeçari dyshohet se hapi zjarr ndaj tyre.
Ai dyshohet se qëlloi pesë ose gjashtë herë, duke i vënë në rrezik jetën e të dy zyrtarëve policorë.
Prokurorja e rastit ka kërkuar që ai të dënohet për tentim të shumëfishtë vrasjeje, si dhe për dhunë dhe kërcënim ndaj autoriteteve dhe zyrtarëve.
Përveç dënimit me burgim prej 19 vjetësh e tetë muajsh, prokuroria ka kërkuar edhe dëbimin e tij nga Zvicra për 15 vjet.
Procesi po zhvillohet me masa të shtuara sigurie për shkak të natyrës së rëndë të akuzave. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Gjykata e Qarkut në Dielsdorf./Telegrafi/




