Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.A., shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili që nga 30 janari 2026 ndodhet në paraburgim. Ai akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 30 janar 2026, rreth orës 20:30, në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes në fshatin Doganaj, i pandehuri E.A. ka transportuar pa autorizim substanca narkotike.
Sipas Prokurorisë, duke vepruar sipas udhëzimeve të të pandehurve M.Q. dhe A.R., E.A. kishte shkuar me veturën e tij “VW Passat”, me ngjyrë të zezë, në hyrje të Podujevës, ku ishte ndalur te pompa e derivateve “Hib Petrol” dhe kishte kontaktuar me telefon A.R.
Pas disa minutash, aty kishte arritur një person me veturë, i cili i kishte kërkuar E.A.-së që ta përcillte. Më pas, ata ishin ndalur në parkingun e një marketi, ku kishin mbërritur disa persona me dy vetura të tipit “Mercedes” dhe një kombi “Volkswagen Transporter”.
Tutje sipas aktakuzës, “të pandehurin nuk e lejojnë të dal nga vetura, e hapin bagazhin e veturës së të pandehurit dhe vendosin një çantë dhe një qese të najlonit, të njëjtin e përcjellin deri në kyçje të autostradës në drejtim të Hanit të Elezit, më të arritur në dalje të autostradës në fshatin Doganaj, ndalet nga Policia dhe gjatë kontrollit në bagazhin e veturës janë gjetur një çantë dhe një qese najloni, ku në të kishte substancë narkotike të llojit mariuhanë e ndarë në 20 paketime në peshë të përgjithshme 6121.08 gram, me ç’ rast sekuestrohet nga policia, –me çka ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë./Klankosova.tv




