Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka publikuar dokumente qeveritare që zbulojnë se autoritetet amerikane kishin zhvilluar hetime për gjurmët e dyshuara të “Bigfoot” apo “Këmbëmadhit”, krijesës misterioze që prej dekadash është pjesë e legjendave dhe teorive të ndryshme në Shtetet e Bashkuara.

Sipas New York Post, Shërbimi Pyjor i SHBA-së publikoi më 15 tetor tri dosje nga arkivi i njohur si “Bigfoot/Sasquatch Records”, të cilat përmbajnë informacione për hetimet e kryera në vitin 1982 në shtetin e Uashingtonit.
Dokumentet tregojnë se Departamenti amerikan i Bujqësisë kishte angazhuar biologun Rodney L. Johnson për të hetuar dhjetëra gjurmë të pazakonta këmbësh, të zbuluara në pyjet e Umatilla National Forest.
Gjurmët ishin gjetur në tri zona me baltë dhe kishin përmasa rreth 38 centimetra gjatësi dhe 18 centimetra gjerësi.
Sipas raportit të biologut, ato shtriheshin në një distancë prej rreth 8 deri në 12 metrash, ndërsa në afërsi ishte vërejtur edhe bimësi e dëmtuar, që sugjeronte kalimin e diçkaje.
Njëra prej gjurmëve kishte madje një deformim të pazakontë në gishtin e dytë të këmbës.
“Nëse gjurmët ishin falsifikuar, dikush kishte bërë një përpjekje jashtëzakonisht të madhe dhe kishte treguar kujdes të veçantë për detajet”, shkroi Johnson.
Ai pranoi se disa karakteristika të gjurmëve dukeshin natyrale dhe do të ishte shumë e vështirë të riprodhoheshin artificialisht.
Megjithatë, përfundimi i biologut nuk e mbështeste ekzistencën e Bigfoot.
Johnson vërejti disa elemente të dyshimta, përfshirë faktin se gjatësia e hapave nuk ndryshonte në terrene me pjerrësi, ndërsa çizmet e tij zhyteshin më thellë në baltë sesa gjurmët e krijesës së supozuar.
Ai konstatoi gjithashtu se gjethet dhe mbeturinat natyrore të pyllit dukeshin sikur ishin larguar qëllimisht përpara krijimit të gjurmëve.
Një zyrtar i Patrullës Kufitare amerikane, i cili gjithashtu shqyrtoi rastin, arriti në përfundimin se gjurmët mund të ishin pjesë e një mashtrimi të organizuar për t’i dhënë besueshmëri legjendës së Bigfoot.
Sipas tij, ato mund të ishin krijuar nga njerëzit duke përdorur forma të posaçme prej allçie të butë ose gome.
Dokumentet e publikuara përmbajnë edhe dëshmi të tjera, përfshirë një artikull gazete për gjurmë të dyshuara të zbuluara në Montana në vitin 2003.
Në një letër tjetër, një burrë i quajtur Leo Kinney rrëfente se gjatë një ekspedite gjuetie në vitet 1940 kishte hasur gjurmë të pazakonta, ndërsa gjuetarë të tjerë kishin raportuar një erë të fortë dhe tinguj të çuditshëm që ngjanin me hungërima.
“Nuk kishim ndonjë dëshirë të veçantë të zbulonim se çfarë ishte. Më vonë kuptuam se të gjithë kishim ndier një shqetësim të madh dhe të dridhura në trup”, shkroi Kinney.
Bigfoot, i njohur edhe si Sasquatch, përshkruhet në folklorin amerikan si një krijesë e madhe, e mbuluar me qime dhe me pamje të ngjashme me njeriun, që supozohet se jeton në pyjet e Amerikës së Veriut.
Pavarësisht raportimeve të shumta ndër vite, deri më sot nuk ekzistojnë prova shkencore të verifikuara që konfirmojnë ekzistencën e kësaj krijese.
Publikimi i dokumenteve dëshmon se autoritetet amerikane kanë shqyrtuar raportime për Bigfoot, por jo se kanë zbuluar prova të ekzistencës së tij. /Telegrafi/





