A bazohen Arka e Noas – dhe Përmbytja – në një katastrofë të vërtetë të lashtë?

A bazohen Arka e Noas – dhe Përmbytja – në një katastrofë të vërtetë të lashtë?
Pllakat me shkrim kuneiform zbulojnë se rrëfimet për përmbytje të ngjashme me atë të Noas qarkullonin në Mesopotami shekuj përpara rrëfimit biblik. Nga: Ratha Tep / History Përkthimi: Telegrafi.com Për shekuj me radhë, eksploruesit janë ngjitur në male, kanë ekzaminuar një formacion gjeologjik në trajtë anijeje dhe kanë shqyrtuar me kujdes fragmente të drurit të […]

Pllakat me shkrim kuneiform zbulojnë se rrëfimet për përmbytje të ngjashme me atë të Noas qarkullonin në Mesopotami shekuj përpara rrëfimit biblik.

Nga: Ratha Tep / History
Përkthimi: Telegrafi.com

Për shekuj me radhë, eksploruesit janë ngjitur në male, kanë ekzaminuar një formacion gjeologjik në trajtë anijeje dhe kanë shqyrtuar me kujdes fragmente të drurit të lashtë, me shpresën për të gjetur një nga objektet më të famshme e të humbura të historisë: Arkën e Noas. Deri më tani, asnjë zbulim i pretenduar nuk ka dalë i vërtetë.

Por, nëse Arka ka rezultuar e pakapshme, origjina e rrëfimit të përmbytjes ofron gjurmë më konkrete. Gjeologët dhe arkeologët kanë gjetur prova të bollshme për përmbytje shkatërrimtare në botën e lashtë, ndërsa pllakat me shkrim kuneiform zbulojnë se rrëfime jashtëzakonisht të ngjashme me rrëfimin e Besëlidhjes së Vjetër për Përmbytjen e Noas qarkullonin në Mesopotami shekuj përpara se të shkruhej rrëfimi biblik.

A mund të fshihet një katastrofë e vërtetë e lashtë pas rrëfimit të Përmbytjes së Noas?

Kërkimet e hershme për Arkën e Noas

Libri i Zanafillës në Bibël e vendos vendin ku u ndal Arka në “malet e Araratit”, pa përcaktuar një majë të veçantë. Kjo paqartësi çoi në përpjekje shekullore për ta gjetur Arkën. Që në shekullin V, një tekst që i atribuohet historianit armen, Faustusit të Bizantit, tregon për peshkopin e shekullit IV, Jakobin e Nisibisit, duke u ngjitur në një mal të quajtur Mali Ararat në Gortouk, në atë që sot është Turqia juglindore. Sipas rrëfimit, Jakobi po i afrohej majës kur një engjëll i tha të mos shkonte më tej dhe i la një fragment të Arkës.

Frati dominikan i shekullit XIII, Vinçenci i Bovesë, përshkroi një Arkë që qëndronte në një mal tjetër Ararat, shumë më në veri, pranë kryeqytetit mesjetar armen Ani, në atë që sot është Turqia verilindore. Në rrëfimin e tij, një murg pa emër u përpoq vazhdimisht të ngjitej, derisa më në fund arriti te anija dhe mori me vete një nga trarët e saj.

Disa dekada më vonë, tregtari dhe aventurieri venecian Marco Polo përshkroi një arkë në ndoshta të njëjtin mal në Armeni, në rrëfimin e tij të famshëm, Udhëtimet e Marco Polos: “Pikërisht në këtë vend të Armenisë ndodhet Arka e Noas në majën e një mali të madh”, shkroi ai, duke shtuar, megjithatë, se bora ishte aq e vazhdueshme pranë majës “sa askush nuk mund të ngjitet”.

Ngjitja në Malin Ararat

Shekuj më vonë, eksploruesit u ngjitën në atë që ka të ngjarë të ishte i njëjti mal që Polo e kishte konsideruar të pangjitshëm. Në vitin 1829, natyralisti gjerman Friedrich Parrot realizoi ngjitjen e parë të dokumentuar në Malin Ararat, në një territor që historikisht ishte Armeni, por që sot është Turqi.

Pasuan edhe alpinistë të tjerë. Në vitin 1876, historiani dhe politikani britanik James Bryce gjeti një copë druri të punuar në një lartësi prej më shumë se 13 mijë këmbësh në mal dhe mori me vete në shtëpi një fragment, duke bërë shaka se “askush nuk është i detyruar ta vërë në dyshim reliken e vet”. Në vitet 1950-1960, eksploruesi francez Fernand Navarra pretendoi se kishte dalluar konturat e një anijeje nën akullin glacial të Malit Ararat dhe u kthye me ato që pretendonte se ishin pjesë të drurit të saj. Megjithatë, testet me radiokarbon e datuan drurin afërsisht në periudhën nga shekulli III deri në shekullin VIII pas Krishtit, mijëra vjet më i ri për të qenë nga Arka e Noas.

Kërkimi për gjurmë të Arkës vazhdon. Në vitin 2026, studiuesit filluan shpimet në Formacionin Durupınar, një veçori gjeologjike në trajtë anijeje rreth 20 milje në jug të Malit Ararat, duke mbledhur qindra mostra bërthamore për analiza laboratorike.

Por, edhe zbulimi i një anijeje të lashtë prej druri nuk do ta zgjidhte domosdoshmërisht misterin. Datimi me radiokarbon mund të japë një interval datash të mundshme, por jo një datë të caktuar, shpjegon Jodi Magness, arkeologe e periudhës klasike dhe biblike në Universitetin e Karolinës së Veriut në Çapel-Hill.

Kryesorja, edhe sikur druri të rezultonte i lashtë, “nuk do të kishte asnjë mënyrë për ta lidhur atë me Noan”, thotë Magness, “pasi nuk e dimë nëse ai ka ekzistuar dhe, nëse ka ekzistuar, kur do të kishte jetuar”.

Magness bën shaka se një provë përfundimtare do të kërkonte, në fakt, gjetjen e një anijeje të lashtë me një mbishkrim autentik të kohës që do të deklaronte: “Kjo është Arka e Noas”.

Çështjen e ndërlikon edhe më tej fakti se Noa nuk ishte i vetmi i mbijetuar i lashtë i një përmbytjeje në letërsinë e lashtë të Lindjes së Afërt. Rrëfime më të hershme paraqesin protagonistë të ndryshëm.

“Ajo që kemi te Zanafilla është vetëm një version i këtij rrëfimi për përmbytjen, i cili kishte qarkulluar gjerësisht për një kohë të gjatë”, thotë Magness. Kjo ngre një pyetje tjetër: Në vend që të pyesim se ku mund të jetë Arka e Noas, cila ngjarje reale, nëse ka pasur ndonjë, qëndron pas rrëfimit biblik të përmbytjes?

Rrëfime për përmbytje para Noas

David Montgomery, gjeomorfolog në Universitetin e Uashingtonit dhe autor i Shkëmbinjtë nuk gënjejnë: Gjeologu heton Përmbytjen e Noas [The Rocks Don’t Lie: A Geologist Investigates Noah’s Flood], e quan rrëfimin biblik një “trashëgimi babilonase”, të formësuar prej rrëfimeve për përmbytje që kishin qarkulluar në Mesopotami për shekuj me radhë.

Në Epin e Gilgameshit, i mbijetuari i përmbytjes Utnapishtim paralajmërohet për një përmbytje të afërt, ndërton një anije, merr në bord familjen dhe kafshët e tij, lëshon zogj për të kërkuar tokë të thatë dhe ofron një flijim pasi ujërat të tërhiqen. Kanë mbijetuar edhe rrëfime të tjera mesopotamiane për përmbytje të periudhës para Biblës, përfshirë epin akadian të Atrahasisit dhe rrëfimin sumer për përmbytjen, i mbijetuari i të cilit, i ngjashëm me Noan, është një mbret me emrin Ziusudra.

“Këto rrëfime mesopotamiane për përmbytje, të periudhës para Biblës, e bëjnë më të mundshme që një përmbytje e vërtetë, ose një seri përmbytjesh, ta ketë frymëzuar rrëfimin biblik”, thotë Montgomery.

Përmbytje globale apo fatkeqësi rajonale?

Përmbytja e përshkruar te Zanafilla është globale për nga përmasat: ujërat mbulojnë malet, ndërsa e gjithë jeta tokësore jashtë Arkës zhduket. Megjithatë, të dhënat gjeologjike tregojnë një histori tjetër. “E dimë me siguri se nuk ishte përmbytje globale”, thotë Montgomery. “Kjo ide u hodh poshtë më shumë se një shekull më parë, kur shkenca e gjeologjisë i dha fund atij interpretimi të veçantë”.

Është interesante, vëren ai, se “shumica e studiuesve të hershëm, puna e të cilëve vërtetoi mungesën e çfarëdo prove reale për një përmbytje globale, ishin klerikë të krishterë”. Mes tyre ishte William Buckland, një prift anglikan i shekullit XIX dhe profesori i parë i gjeologjisë në Oksford, i cili fillimisht ia atribuoi Përmbytjes së Noas depozitimet e përhapura të zhavorrit në mbarë Britaninë. Puna e tij në terren tregoi përfundimisht se depozitimet ishin rezultat i disa ngjarjeve të veçanta.

Por, përjashtimi i mundësisë së një përmbytjeje globale nuk e përjashton një përmbytje katastrofike rajonale. Montgomery vë në dukje “dy shpjegime të mundshme gjeologjikisht”. Një burim i mundshëm është Lugina e Tigrit dhe Eufratit, ku përmbytjet e mëdha ishin të zakonshme në kohët parahistorike. Kur “këta lumenj kapërcenin argjinaturat e tyre”, thotë Montgomery, fusha e ulët përreth “mbushej si një vaskë, duke përmbytur botën e njohur për banorët vendas”.

Mundësia e dytë, vëren Montgomery, ndodhet më në veri. Gjeologët William Ryan dhe Walter Pitman kanë propozuar se, mijëra vjet më parë, ujërat e Mesdheut kapërcyen Ngushticën e Bosforit, duke përmbytur një luginë të ulët dhe duke e shndërruar një liqen të madh me ujë të ëmbël në atë që sot njihet si Deti i Zi. Edhe pse disa studiues e kanë kundërshtuar këtë, Ryan dhe Pitman ngritën hipotezën se komunitetet e hershme përgjatë brigjeve të tij do të ishin zhvendosur, ndërsa disa banorë do t’i kishin çuar kujtimet e fatkeqësisë në Mesopotami.

Secili prej këtyre skenarëve mund ta ketë frymëzuar rrëfimin biblik të përmbytjes, thotë Montgomery, por nuk ka gjasa të përcaktohet se cili prej tyre. Madje, ato mund të mos e përjashtojnë njëri-tjetrin. Kujtimet e një përmbytjeje më të hershme të Detit të Zi mund të kenë gjetur jehonë te banorët e mëvonshëm të Mesopotamisë, një rajon i prirur ndaj përmbytjeve. Prej andej, thotë ai, “rrëfimi u përpunua më tej në traditat e njëpasnjëshme mesopotamiane dhe më pas u integrua në atë biblike”.

Me disa përmbytje të lashta të mundshme dhe pa asnjë mënyrë për ta gjurmuar një traditë gojore deri në fillimin e saj, Montgomery dyshon se fatkeqësia, ose fatkeqësitë, që qëndrojnë pas rrëfimit biblik, do të identifikohen ndonjëherë përfundimisht. /Telegrafi/

Lexo edhe

Ramush Haradinaj me parti del për t’i falënderuar protestuesit në shesh

Ramush Haradinaj me parti del për t’i falënderuar protestuesit në shesh

Seancë gjatë ditës? Haradinaj: S’kemi marrë ftesë ende

Seancë gjatë ditës? Haradinaj: S’kemi marrë ftesë ende

Berisha: Populli u bë bashkë me UÇK-në edhe në ditët më të vështira

Berisha: Populli u bë bashkë me UÇK-në edhe në ditët më të vështira

A bazohen Arka e Noas – dhe Përmbytja – në një katastrofë të vërtetë të lashtë? | Momenti