Një debat banal për enët e palara në kuzhinë ka përfunduar në një ngjarje të rëndë dhune në Romë të Italisë. Një 50-vjeçare është arrestuar me akuzën e tentativës së vrasjes, pasi dyshohet se ka dhunuar brutalisht partnerin e saj me një ngrohëse elektrike dhe më pas është përpjekur ta mbysë me kabllon e pajisjes.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, rreth orës 21:30, në banesën e çiftit, në lagjen Tufello të Romës. Pas njoftimit nga fqinjët, karabinierët kanë ndërhyrë në banesë, ku kanë gjetur gruan të hipur sipër partnerit, i cili ndodhej i shtrirë në një pellg gjaku dhe pothuajse pa ndjenja.
Efektivët kanë neutralizuar menjëherë 50-vjeçaren, e cila vijonte të ofendonte partnerin edhe në momentin e ndërhyrjes së tyre. Ndërkohë, shërbimet e urgjencës i kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit, i cili është transportuar në poliklinikën “Umberto I”.
Para hetuesve, burri ka treguar se gjithçka nisi pas një debati për enët e palara në lavaman.
“Ajo filloi të më shtynte dhe që në atë moment fillova të shqetësohesha. I thashë se do t’i laja unë enët, por ajo nuk u ndal më. Në fund humba ndjenjat”, ka rrëfyer ai, raporton Top Channel, transmeton Klankosova.tv.
Si pasojë e dhunës, burri ka pësuar frakturë të septumit të hundës dhe të njërës mollëz, dëmtime në kokë, si dhe hematoma në të gjithë trupin. Lëndime ka marrë edhe në duar, teksa është përpjekur të mbrohej nga sulmi.
Pas arrestimit, 50-vjeçarja është dërguar fillimisht në një strukturë shëndetësore për vlerësimin e gjendjes së saj psikofizike dhe më pas është transferuar në burgun e Rebibbias.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që gruaja të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e ngjarjes.





