Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth mesnatës në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku një zjarr i rënë në një banesë sociale u mori jetën dy bashkëshortëve. Policia ka arrestuar një 35-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrvënies.

Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të datës 14 tetor, në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”, në Shkozë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të Policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se 35-vjeçari me inicialet A. I. i ka vënë zjarrin banesës së prindërve të bashkëjetueses së tij, shtetasve I. Z., 65 vjeçe, dhe A. Z., 68 vjeç.
Si pasojë e zjarrit, të dy bashkëshortët u dërguan në spital, por nuk arritën t’u mbijetonin plagëve dhe humbën jetën.
Pas njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mbërritën në vendngjarje, ku nisën veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Pas hetimeve të kryera nga ekspertët kriminalistë dhe specialistët për rastet e zjarrvënieve, 35-vjeçari u arrestua menjëherë pas ngjarjes, si i dyshuar për kryerjen e krimit.




