Një shofer në Klinë është ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi u filmua duke vozitur me 158 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë ishte 50 km/h.

Rasti ka ndodhur në fshatin Klinavc të Klinës, ndërsa shoferi është identifikuar pas një video-incizimi të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit të Policisë, më 11 tetor 2026, në Stacionin Policor në Klinë është pranuar incizimi, pas të cilit janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe operative.
Si rezultat, më 12 tetor është bërë identifikimi i ngasësit, ndaj të cilit janë shqiptuar masa ndëshkuese.
“Në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, ndaj ngasësit janë shqiptuar gjobë në vlerë prej 300 euro, tri pikë negative dhe ndalimi i së drejtës së drejtimit të mjeteve motorike në kohëzgjatje prej tre muajsh”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka apeluar te qytetarët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut rrugor.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut rrugor, duke kontribuar kështu në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, thuhet në apel.




