Një situatë e pazakontë ka ndodhur gjatë natës në Niederteufen të Zvicrës, ku rreth 120 dele kanë dalë nga vendqëndrimi i tyre dhe janë shpërndarë në rrugë.
Policia është njoftuar rreth orës 00:30, pasi kafshët po pengonin qarkullimin në zonën Battenhaus.
Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, konstatuan se një numër i madh delesh kishin dalë nga hapësira ku mbaheshin. Për kthimin e tyre u angazhua edhe pronari, ndërsa operacioni zgjati më shumë se sa ishte parashikuar.
Pas disa përpjekjeve, policia dhe pronari arritën t’i kapnin të gjitha kafshët dhe t’i kthenin në vendqëndrimin e tyre, shkruan 20Minuten, transmeton Telegrafi.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar apo dëme të raportuara.
Policia e ka trajtuar rastin edhe me humor, duke e cilësuar situatën si një “bllokim të leshtë” të rrugës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që, në rast se hasin kafshë në rrugë, të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancë dhe të shmangin përdorimin e borisë./Telegrafi/




