Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se qytetarët kanë te Lëvizja Vetëvendosje garancinë e mirëqeverisjes dhe se institucionet e shtetit janë në duar të sigurta.
Duke iu drejtuar mbështetësve në sheshin “Skenderbeu” pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve, Kurti tha se do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë e tij në krye të ekzekutivit.
“Të jeni të sigurt se te LVV-ja e keni garancinë e mirëqeverisjes dhe shteti si Republikë është në duar të sigurta. Unë jam kryeministri juaj, herë kryeministër në detyrë e herë detyrë në kryeministër”, deklaroi ai.
Kurti paralajmëroi gjithashtu komunikim dhe bashkëpunim me subjektet e tjera politike në periudhën paszgjedhore, duke theksuar se prioritet mbetet interesi publik dhe shteti i Kosovës, transmeton Zeri.info.
“Natyrisht që në javët në vijim do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës, sepse ne e kemi para së gjithash interesin publik, vullnetin e përgjithshëm dhe Republikën sovrane e të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me devotshmëri”, tha Kurti.
Ai shtoi se qytetarët mund të llogarisin jo vetëm në punën e qeverisë, por edhe në gatishmërinë e saj për bashkëpunim politik.
“Llogaritni në neve jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, përfundoi ai. /Zëri

