Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar një takim rreth tri orësh, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Takimi, i zhvilluar të mërkurën në Prishtinë, duket se ka shënuar një hap të ri në negociatat mes dy partive, pasi për herë të parë palët kanë diskutuar edhe emra konkretë të kandidatëve për president.
Pas takimit, Kurti tha se bisedimet do të vazhdojnë dhe se mes LVV-së dhe LDK-së është krijuar një nivel më i madh mirëbesimi.
“Jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të bëhen publikë derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”, deklaroi Kurti.
Megjithatë, lideri i LVV-së nuk bëri të ditur se cilët janë emrat e diskutuar. Ai tha se kandidatët në fjalë përmbushin kriteret, standardet dhe parimet për të cilat dy subjektet politike ishin pajtuar më herët.
Edhe Abdixhiku konfirmoi se në takim janë diskutuar kandidatura konkrete, duke theksuar se ato janë kryesisht në përputhje me parimet e dakorduara ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.
“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të them se cilët janë emrat konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Sipas Kurtit, takimet e ardhshme mund të jenë edhe më të vështira, pasi tashmë palët duhet të diskutojnë në mënyrë më të detajuar për kandidatët dhe të gjejnë një emër që mund të sigurojë pajtueshmëri politike.
Në javët e fundit janë përmendur disa emra për postin e presidentit, ndër ta profesori Ibrahim Berisha, ish-nënkryetari i Kuvendit Ilaz Ramajli dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Berisha dhe Ramajli kanë mohuar se janë pjesë e procesit të përzgjedhjes.
Ndërkohë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka propozuar ish-presidentin Hashim Thaçi për këtë pozitë, ndërsa ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin nga LDK-ja.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në prill, ndërsa dështimi i partive për të zgjedhur pasardhësin e saj çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme në qershor.
Aktualisht, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, mund ta ushtrojë këtë funksion deri më 4 tetor, në përputhje me kufizimin kushtetues gjashtëmujor.
Për zgjedhjen e presidentit në Kuvend nevojitet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve nga 120 gjithsej. LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18. Këto dy subjekte kanë së bashku 71 deputetë, ndërsa mbështetja e deputetëve të komuniteteve joshumicë do të ishte e nevojshme për të siguruar kuorumin e kërkuar.
The post Krejt çka u tha pas takimit Kurti-Abdixhiku: Për herë të parë u diskutuan emra konkretë për presidentin appeared first on Gazeta Express.

