Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk mbështeten në të njëjtët motorë zhvillimi. Disa vende kanë ruajtur një bazë relativisht të fortë industriale, të tjera varen më shumë nga tregtia, turizmi dhe shërbimet, ndërsa Shqipëria dallohet për peshën e lartë të bujqësisë dhe, veçanërisht, të ndërtimit.
Monitor ka përpunuar të dhënat e Eurostat dhe ka krahasuar strukturës e vlerës së shtuar bruto sipas aktivitetit ekonomik (pa përfshirë neto taksat e subvencionet) për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mesataren e Bashkimit Evropian për vitin 2024 (të dhënat e fundit të disponueshme).
Modelet e rritjes në rajon ndryshojnë ndjeshëm jo vetëm nga njëri-tjetri, por edhe nga ekonomia mesatare e Bashkimit Evropian.
Në BE, aktiviteti ekonomik është më i shpërndarë ndërmjet industrisë, shërbimeve profesionale, administratës publike, pasurive të paluajtshme dhe financave, ndërsa vendet e Ballkanit vijojnë të kenë një përqendrim më të madh në sektorë tradicionalë.
Krahasimi tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë të mbështeten më shumë në bujqësi, ndërtim, tregti dhe industri tradicionale, ndërsa Bashkimi Evropian ka një peshë më të madhe të shërbimeve profesionale, financiare dhe aktiviteteve me bazë njohuritë.
Shqipëria, pesha më e lartë e ndërtimit
Shqipëria është vendi ku ndërtimi zë peshën më të lartë në ekonomi. Sipas të dhënave të grafikut, sektori gjeneron 13.8% të vlerës së shtuar bruto, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian prej 5.5% dhe dukshëm mbi të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Pesha e ndërtimit në Shqipëri rezulton më e larta në Europë. Në Kosovë ky sektor përbën rreth 10% të ekonomisë, në Maqedoninë e Veriut 7.2%, ndërsa në Serbi 5.9%, Bosnjë-Hercegovinë, 5.6% dhe Malin e Zi luhatet rreth 5%.
Zgjerimi i shpejtë i ndërtimeve, i mbështetur nga investimet në banesa, struktura turistike dhe zhvillime të mëdha në zonat urbane e bregdetare, ka qenë një ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
Por mbështetja e tepruar te ndërtimi nuk përfaqëson domosdoshmërisht një model të qëndrueshëm zhvillimi në afat të gjatë.
Ndërtimi mund të krijojë punësim, të tërheqë kapital dhe të ushqejë sektorë të lidhur me të, por krijon më pak hapësirë për rritjen e produktivitetit, eksportet dhe inovacionin sesa industria e përpunimit, teknologjia apo shërbimet profesionale.
Pasi përfundon cikli i investimit, aftësia e tij për të prodhuar vazhdimisht vlerë të re është më e kufizuar.
Për më tepër, ky sektor ka shërbyer si një kanal për hyrjen e parave informale në vend, siç rezultoi edhe nga hetimet e fundit të SPAK-ut, duke qenë një nga faktorët kryesorë që ka fryrë çmimet e pasurive të paluajtshme dhe i ka bërë ato më pak të përballueshme për vendasit.
Veç ndërtimit, Shqipëria ka edhe peshën më të lartë të bujqësisë në rajon. Ky sektor gjeneron rreth 17-18% të vlerës së shtuar bruto, kundrejt më pak se 2% në BE. Diferenca tregon se një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë dhe e punësimit vazhdon të jetë e përqendruar në aktivitete me produktivitet relativisht të ulët.
Pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë, Shqipëria ka çmime më të shtrenjta të ushqimeve sesa mesatarja e Bashkimit Evropian, në një tregues të produktivitetit të ulët të sektorit.
Industria zë rreth 12% të ekonomisë shqiptare, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e BE-së dhe se vendet e tjera të rajonit. Pesha e saj është veçanërisht e vogël në krahasim me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku pesha e industrisë luhatet mes 20-23%.
Ndërkohë, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore përbëjnë së bashku më shumë se një të pestën e ekonomisë, duke reflektuar rolin në rritje të turizmit dhe të konsumit në modelin ekonomik shqiptar.
Një tjetër dobësi e Shqipërisë është zhvillimi relativisht i ulët i ndërmjetësimit financiar. Financat dhe sigurimet kanë një peshë të vogël në vlerën e shtuar bruto të Shqipërisë, rreth 2%, më pak se në Serbi (6.2%), Malin e Zi (5.7%), Bosnjë-Hercegovinë (4.4%) dhe në mesataren e Bashkimit Evropian (4.7%).
Pesha e ulët tregon jo vetëm përmasat e kufizuara të tregut financiar, por edhe varësinë e ekonomisë pothuajse tërësisht nga sistemi bankar. Tregjet e kapitalit, fondet e investimeve, sigurimet dhe instrumentet alternative të financimit vijojnë të jenë pak të zhvilluara.
Në kahun pozitiv, Shqipëria ka shënuar një zhvillim relativisht të mirë në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, së bashku me shërbimet administrative dhe mbështetëse.
Pesha e këtij grupi aktivitetesh në vlerën e shtuar bruto arriti në 8.4%, e dyta më e lartë në rajon pas Serbisë (9.4%) është afruar me mesataren e Bashkimit Evropian (11.8%), duke treguar një zgjerim gradual të shërbimeve që kërkojnë më shumë njohuri, specializim dhe fuqi punëtore të kualifikuar.
Serbia ndërton një model më të orientuar drejt teknologjisë
Në kontrast me Shqipërinë, Serbia dallohet për zhvillimin e sektorit të informacionit dhe komunikimit. Ky aktivitet ka arritur të gjenerojë rreth 10% të vlerës së shtuar bruto, pesha më e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe afërsisht dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian. Për Shqipërinë ky tregues ësgtë vetëm 2.6%, më i ulëti në rajon, së bashku me Kosovën (2.5%).
Rritja e teknologjisë së informacionit e ka ndihmuar Serbinë të krijojë një model ekonomik më të orientuar drejt eksporteve të shërbimeve me vlerë të shtuar, punësimit të kualifikuar dhe investimeve në njohuri.
Ndryshe nga ndërtimi, sektori i teknologjisë mund të zgjerohet pa pasur nevojë për investime të mëdha në tokë dhe pasuri të paluajtshme. Ai ka gjithashtu potencial më të lartë për rritjen e produktivitetit, pagave, eksporteve dhe integrimin në zinxhirët ndërkombëtarë të shërbimeve.
Struktura e ekonomisë serbe është më e diversifikuar. Industria zë rreth një të pestën e vlerës së shtuar bruto (21.2%), dukshëm më shumë se në Shqipëri, ndërsa ndërtimi ka një peshë më të kontrolluar, prej rreth 6%.
Serbia ka gjithashtu një prani më të madhe të aktiviteteve financiare, të pasurive të paluajtshme dhe të shërbimeve profesionale. Bujqësia, megjithëse mbetet e rëndësishme, përbën vetëm rreth 4% të ekonomisë, shumë më pak se në Shqipëri.
Mali i Zi, ekonomia më e varur nga tregtia dhe turizmi
Mali i Zi ka modelin më të orientuar drejt shërbimeve të tregtisë, transportit, akomodimit dhe ushqimit. Së bashku, këto aktivitete zënë rreth një të tretën e vlerës së shtuar bruto, pesha më e lartë në rajon.
Mali i Zi ka peshën më të lartë të aktivitetit “Tregti, transport, akomodim, ushqim” në rajon, me 32.6% dhe shumë mbi mesataren e BE-së prej 18.9%. Kjo strukturë pasqyron varësinë e madhe të ekonomisë malazeze nga turizmi.
Në vitet me flukse të larta turistike, sektori sjell të ardhura, punësim dhe valutë, por një varësi e tillë e ekspozon vendin ndaj goditjeve të jashtme, ndryshimeve në kërkesën turistike dhe pasigurive ndërkombëtare.
Mali i Zi ka peshën më të ulët industriale në rajon, rreth 10-11%, ndërsa ndërtimi përbën afërsisht 5% të ekonomisë.
Aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe financat kanë një rol relativisht të rëndësishëm, të lidhur edhe me investimet e huaja në prona dhe zhvillimet turistike, me përkatësisht 5.7% dhe 7.5% të vlerës së shtuar bruto në ekonomi.
Kosova mbështetet te industria, tregtia dhe ndërtimi
Kosova ka një strukturë ku industria, tregtia dhe ndërtimi zënë pjesën më të madhe të ekonomisë. Industria gjeneron më shumë se një të pestën e vlerës së shtuar bruto (22.8%), ndër nivelet më të larta në Ballkanin Perëndimor.
Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor përbëjnë rreth një të katërtën e ekonomisë, ndërsa ndërtimi ka një peshë prej afërsisht 10%, e dyta më e larta në rajon pas Shqipërisë, por edhe në Evropë.
Edhe bujqësia vijon të jetë relativisht e rëndësishme, me 9.3% të vlerës së shtuar. Në të kundërt, informacioni, komunikimi, financat dhe shërbimet profesionale mbeten më pak të zhvilluara se në rajon dhe në mesataren evropiane, duke shfaqur një strukturë të ngjashme me Shqipërinë, me përjashtim të peshës shumë më të lartë që zë industria.
Maqedonia e Veriut, strukturë më e balancuar
Maqedonia e Veriut paraqet një strukturë relativisht më të shpërndarë ndërmjet industrisë, tregtisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Industria zë rreth 21% ekonomisë, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe ushqimi kanë një peshë të ngjashme.
Ndërtimi përbën 7.2% të vlerës së shtuar bruto, më shumë se mesatarja e BE-së, por më pak se në Shqipëri dhe Kosovë.
Bujqësia ruan një peshë prej rreth 7%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme janë relativisht të rëndësishme, me 11.6%, pesha më e lartë në rajon dhe mbi mesataren e bashkimit Evropian prej 10.8%.
Bosnjë-Hercegovina ruan bazën industriale
Bosnjë-Hercegovina ka një nga peshat më të larta të industrisë në ekonominë e rajonit, me rreth 21% të vlerës së shtuar bruto. Vendi mbështetet në industrinë përpunuese, energjinë dhe aktivitetet që lidhen me eksportet drejt tregut europian.
Tregtia, transporti, akomodimi dhe ushqimi kanë gjithashtu një rol të madh, duke përbërë afro një të katërtën e ekonomisë. Bujqësia zë 5.4% të vlerës së shtuar bruto në ekonomi, ndërsa ndërtimi ka një peshë shumë më të ulët se në Shqipëri dhe Kosovë, në 5.4%.
“Tregti, transport, akomodim, ushqimi” sjell 24.7% të vlerës së shtuar në ekonomi, e treta më e lartë në rajon, pas Malit të Zi dhe Kosovës.
Megjithatë, shërbimet profesionale (5.5%) dhe financat (4.4%) nuk kanë arritur ende përmasat që kanë në ekonomitë më të zhvilluara të BE-së. /Monitor.al

