Në dekadat e fundit, udhëtimet turistike janë bërë një pjesë e rëndësishme e jetës së shumë europianëve. Turizmi u jep njerëzve mundësinë të shkëputen nga mjedisi i tyre i zakonshëm dhe të zbulojnë pjesë të tjera të vendit të tyre, vende të tjera të Europës apo rajone të tjera të botës. Në këtë mënyrë, turizmi ndihmon në afrimin e njerëzve nga kultura të ndryshme dhe nxit respektin reciprok mes komuniteteve të ndryshme, brenda dhe përtej kufijve kombëtarë apo kontinenteve, sipas një raporti të fundit të Eurostat.
Në vitin 2020, shpërthimi i COVID-19 pati një ndikim të paprecedentë në sjelljen e njerëzve ndaj udhëtimeve në të gjithë botën, për shkak të masave kufizuese të vendosura në të gjitha vendet, si dhe të rrezikut shëndetësor dhe pasigurisë që njerëzit ndienin për të udhëtuar. Në vitin 2021, shumë prej këtyre kufizimeve u hoqën, duke i dhënë mundësi sektorit të turizmit të nisë rimëkëmbjen.
Në vitin 2024, rreth 249 milionë europianë të moshës 15 vjeç e lart morën pjesë në aktivitete turistike, duke kryer të paktën një udhëtim për qëllime personale, raporton Eurostat. Kjo përfaqëson një rritje prej 2.3%, ose 5.7 milionë turistë më shumë, krahasuar me vitin 2023. Në krahasim me vitin 2019, numri i turistëve ishte 5.5 milionë më i lartë.
Në 22 vende, pjesëmarrja në turizëm e tejkaloi nivelin e vitit 2023. Rritjet më të larta u regjistruan në Rumani, me 30.5%, Suedi, me 16.6%, dhe Lituani, me 13.5%.
Vendet që regjistruan nivele më të ulëta të pjesëmarrjes në turizëm në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë ishin Polonia, Portugalia, Italia, Franca, Danimarka dhe Bullgaria.
Më shumë se 6 në 10 banorë të BE-së bënë udhëtime turistike në vitin 2024
Ky grup prej afro 249 milionë europianësh, që bënë të paktën një udhëtim turistik për qëllime personale në vitin 2024, duke përjashtuar udhëtimet e biznesit, përfaqësonte gati dy të tretat, ose 65%, të popullsisë së BE-së të moshës 15 vjeç e lart.
Rreth 31% e europianëve bënë të paktën një udhëtim turistik brenda vendit, me të paktën një natë qëndrimi, dhe nuk udhëtuan jashtë vendit. Vetëm 10% bënë të paktën një udhëtim jashtë vendit dhe asnjë udhëtim të brendshëm.
Ndërkohë, një e katërta e europianëve bënë si udhëtime brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.
Nëse merren parasysh vetëm udhëtimet me të paktën katër net qëndrimi, duke përjashtuar kështu turistët që kanë bërë udhëtime deri në tri net, norma e pjesëmarrjes bie në 52%.
Në vitin 2024, pjesëmarrja e europianëve në turizëm varionte nga 84% në Holandë në 28% në Rumani
Në 9 vende, të paktën 7 në 10 banorë bënë të paktën një udhëtim turistik për qëllime personale gjatë vitit 2024: Holanda (84%), Luksemburgu, Finlanda dhe Suedia (83% secila), Franca (81%), Gjermania (80%), Irlanda (79%), si dhe Austria dhe Çekia (76% secila).
Në skajin tjetër, vetëm 32% e banorëve të Bullgarisë dhe 28% e banorëve të Rumanisë morën pjesë në udhëtime turistike.
Në vitin 2023, përqindja e personave që morën pjesë në turizëm varionte nga 27% në Rumani në 85% në Francë.
Në dy vendet më të mëdha të BE-së për nga popullsia, Gjermani dhe Francë, norma e pjesëmarrjes në turizëm ishte mbi mesataren e BE-së, përkatësisht 80% dhe 81%. Së bashku, këto dy vende përbënin rreth 4 në 10 turistë europianë.
Për turizmin e brendshëm, normat më të larta të pjesëmarrjes u regjistruan në Suedi (77%), Francë dhe Finlandë (76% secila), Çeki (69%), Gjermani (66%) dhe Spanjë (64%).
Për udhëtimet jashtë vendit, kryesonte Luksemburgu me 83%, i ndjekur nga Irlanda me 68%, Holanda me 67%, Austria me 62%, ndërsa Gjermania dhe Belgjika me nga 61%.
Vendet ku pjesa më e madhe e popullsisë udhëtoi vetëm brenda vendit, pa bërë udhëtime jashtë, ishin Franca me 51%, si dhe Polonia dhe Spanja me nga 43%, përfundon raporti i Eurostat.
Grekët dhe Italianët, ndër të fundit në Europë për peshën e popullsisë që udhëton jashtë
Sipas të dhënave të Eurostat dhe të përpunuara nga “Monitor”, për vitin 2024, rreth 35% e popullsisë së BE-së mbi 15 vjeç bëri të paktën një udhëtim jashtë vendit: 24.8% kombinuan udhëtimet e brendshme me ato jashtë, ndërsa 10% udhëtuan vetëm jashtë.
Në numër absolut, Gjermania është dukshëm tregu më i madh europian i udhëtimeve jashtë vendit, 61% të popullsisë që kanë kryer të paktën një udhëtim jashtë, apo me rreth 43.8 milionë persona (47% si brenda dhe jashtë dhe 14% vetëm jashtë). Pas saj vijnë Franca me 30% të popullsisë, ose rreth 15.8 milionë, Spanja 27% të popullsisë, ose 11.4 milionë dhe Holanda me 67% të popullsisë rreth 10.1 milionë. Në Poloni, 22% e popullsisë udhëton të paktën njëherë jashtë vendit, ose rreth 7 milionë persona.
5.3% e italianëve udhëtuan vetëm jashtë vendit dhe 7.9% të tjerë brenda dhe jashtë vendit, me një total prej 13.2% që udhëtuan të paktën një herë jashtë vendit, një ndër peshat më të ulëta në BE, e katërta nga fundit. Megjithatë, për shkak të popullsisë së lartë, në vlerë absolute shifra është rreth 6.8 milionë turistë.
Greqia renditet pas Italisë, me vetëm 8.7% që kanë udhëtuar jashtë (4.1% vetëm jashtë vendit dhe 4.6% si brenda dhe jashtë).
Bullgarët dhe rumunët renditen të fundit në Europë, me përkatësisht 7.9 dhe 2.9%, të popullsisë, që ka udhëtuar si brenda dhe jashtë.
Në përqindje ndaj popullsisë, për udhëtimet jashtë vendit, Europën e kryesojnë vendet e ftohta, që kanë tendencë të udhëtojnë më shumë. Në Norvegji, rreth 70% e popullsisë kishte realizuar të paktën një udhëtim jashtë (55.6% brenda dhe jashtë dhe 13.9% vetëm jashtë), e ndjekur nga Irlanda (67.7%), Holanda (67.3), Austria (61.7%), Gjermania (61%), Belgjika (60.7%), Suedia (55.5%). Këto janë jo vetëm vende të ftohta por dhe me të ardhura më të larta sesa mesatarja e BE-së, që kanë luksin të shpenzojnë më shpesh për të udhëtuar jashtë.
Tregu i turistëve në Shqipëri, 51% vijnë nga rajoni, potenciali i pashfrytëzuar i BE-së
Në Shqipëri, tregu i turistëve vijon të dominohet nga rajoni. Për vitin 2025 u shënuan 6.4 milionë hyrje nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i ZI, ose 51% e totalit (gjithsej u shënuan 12.5 milionë hyrje). Peshën kryesore e mban Kosova, me 37% të totalit.
Nga tregu i Bashkimit Europian, Shqipëria merr shumë turistë nga tregje që në vetvete udhëtojnë relativisht pak jashtë, si Italia dhe Greqia, ndërsa shfrytëzon ende pak disa prej tregjeve më të mëdha europiane të udhëtimeve ndërkombëtare, si Gjermania, Holanda dhe Franca.
Sipas të dhënave të INSTAT, dominon Italia, me 10.4% të totalit, ose 1.3 milionë hyrje në Shqipëri në 2025-n.
Gjermania, që është tregu më i madh për udhëtimet jashtë në numër (gati 44 milionë persona), zuri vetëm 3.4% të totalit në Shqipëri, me vetëm 452 mijë hyrje të shtetasve gjermanë.
Franca, ndonëse në rritje, solli 2.3% të totalit, me gati 300 mijë hyrje. Tendenca nga shtetet e Bashkimit Europian, (me përjashtim të Italisë, që tërhiqet nga afërsia gjeografike, kultura e ngjashme, njohja e gjuhëve), ka qenë e paqëndrueshme, me rritje në disa vite dhe rënie në të tjera, duke treguar se këto tregje ende nuk janë konsoliduar për Shqipërinë.
Holanda, një tjetër treg i Madh në BE, kishte vetëm 1.1% të hyrjeve në 2025-n, ose rreth 130 mijë shtetas.
Hyrjet nga Norvegjia, një nga tregjet më të mëdha për udhëtimet, ku rreth 70% e popullsisë udhëton jashtë, ose rreth 3 milionë persona ishin vetëm 0.3% e totalit të turistëve që erdhën në Shqipëri, me rreth 35 mijë turistë. /Monitor
The post Kosova dominon turizmin në Shqipëri, 37% e hyrjeve janë nga kosovarët appeared first on Gazeta Express.

