Sabri Novosella, në emisionin “Dosje” të RTV Dukagjinit, të udhëhequr nga Ermal Panduri, ka folur për organizimin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe grupet që, sipas tij, kishin rol në to.
I pyetur nëse kishte pasur njohuri paraprake për demonstratat dhe nëse Abdullah Prapashtica kishte dorë në organizimin e tyre, Novosella ka thënë se për Prapashticën kishte dëgjuar vetëm pasi ky kishte ardhur në Ada Pazar.
“Unë për Abdullah Prapashticën kam dëgjuar kur ka ardhë në Ada Pazar, përpara për të nuk kam dëgjuar kurrë. Osman Osmanin po, se kemi pasë një lidhje familjare, kurse me Faton Topallin na pëlqeu muhabeti”, ka deklaruar Novosella.
I pyetur drejtpërdrejt nga Panduri se kush i kishte organizuar demonstratat e vitit 1981, Novosella ka thënë se për këtë çështje janë dhënë mendime dhe versione të ndryshme.
“Po thashë, janë dhënë lloj-lloj mendimesh, lloj-lloj idesh. Po foli sysh, ka pasë shumë duar aty, ka pasë shumë duar. Ka pasë edhe të marksist-leninistëve, ka pasë edhe të veprimtarëve kombëtarë”, ka thënë Novosella.
Gjatë diskutimit, Panduri e ka pyetur nëse po bënte dallim mes veprimtarëve kombëtarë që nuk kishin ideologji të majtë dhe grupeve të tjera.
“Po, enverista”, është përgjigjur Novosella.
Ai ka thënë se qëndrimi i tij ndaj demonstratave të vitit 1981 kishte qenë pozitiv, por ka përsëritur se në organizimin e tyre kishin pasur rol edhe marksist-leninistët.
“Kam pasë qëndrim, për mua ka qenë ana pozitive, shumë, atyre demonstratave, por ka pasë dorë edhe marksist-leninistët, ka pasë, ka fakte”, ka deklaruar ai.
Duke iu referuar Abdullah Prapashticës, Novosella ka thënë se vetë ai ka pretenduar se kishte punuar në organizimin e demonstratave.
“Për shembull, ky Prapashtica e argumenton vetë: kam punu, kam organizu, i kam çu, i kam bërë këto. Ndoshta edhe i ka bërë”, ka përfunduar Novosella.

