Së shpejti pritet të botohet romani “Inter Nos” i autores Kaltrina Maloku, një vepër që nga faqja e parë, e vendos lexuesin përballë pyetjeve mbi jetën, identitetin, kujtesën dhe përballjen me të kaluarën.
“Inter Nos” vjen si një rrëfim i ndërtuar rreth botës së brendshme të një personazhi që përpiqet të kuptojë veten, zgjedhjet e saj dhe ngjarjet që kanë lënë gjurmë në jetën e saj. Përmes reflektimit dhe përballjes me të kaluarën, romani hap një udhëtim mes asaj që ka ndodhur dhe asaj që personazhi e përjeton në kujtesën dhe imagjinatën e saj.
Në përshkrimin e librit thuhet:
“Nuk ia kam idenë kush jam, pse jetoj dhe cili është qëllimi i jetës sime.”
Kjo pyetje duket se përbën një nga boshtet e rrëfimit, ndërsa personazhi rikthehet pas në kohë për të analizuar veprimet dhe zgjedhjet e veta, duke u përpjekur ta shohë veten nga këndvështrimi i tjetrit.
“A mund njeriu t’i pranojë mëkatet e veta, a mund t’i dijë për cilat mëkate, nëse ekzistuan, po paguan sot?” – është një tjetër prej dilemave që përcjellin atmosferën e romanit.
Titulli “Inter Nos”, që në latinisht nënkupton “mes nesh”, sugjeron një rrëfim intim, ku kufiri mes asaj që thuhet dhe asaj që mbahet brenda vetes bëhet pjesë e rëndësishme e historisë.
Me “Inter Nos”, Kaltrina Maloku pritet t’i sjellë lexuesit një roman me karakter introspektiv, ku pyetjet mbi të kaluarën, fajin, identitetin dhe kuptimin e jetës ndërthuren në një rrëfim personal.
Romani pritet të botohet së shpejti.

