Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar kontrollet në tregjet e Kosovës për verifikimin e produkteve të qumështit, duke tërhequr nga raftet disa produkte që më herët ishin ndaluar për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Sipas IQMT-së, gjatë kontrolleve të zhvilluara sot në markete në rajonet e Prizrenit, Ferizajt, Vushtrrisë dhe Gjilanit, inspektorët kanë konstatuar se disa prej produkteve të ndaluara vazhdonin të gjendeshin në treg, transmeton Zeri.info.
Nga raftet e marketeve janë tërhequr këto produkte:
Qumësht 3.2% VIDAS – 1 L
Holla Cooking Cream – 1 L
Garden Milk – 1 L
Spec me krem VIDAS – 1 kg
Magic Cream – 400 g
Schmand 18% – 800 g
Djathë i bardhë 100% – 250 g.
Inspektorët kanë urdhëruar operatorët ekonomikë që produktet të tërhiqen menjëherë nga raftet e shitjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IQMT-ja u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e produkteve dhe të respektojnë vendimet e autoriteteve kompetente.
Ndërkohë, Instituti u ka bërë thirrje edhe konsumatorëve që, nëse hasin në treg ndonjërin prej këtyre produkteve të ndaluara nga AUV-i, ta raportojnë rastin përmes platformës Viber në numrin +383 (0) 46 311-000. /Zëri

