
Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026.
Në bazë të të dhënave, nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 28,654 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15,227, ndërsa 1,681 të tjera janë refuzuar dhe 11,734 janë në pritje për shqyrtim.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ky i fundit ka shtuar edhe se, nga 15,227 aplikime të aprovuara, 3,809 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 405 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 11,013 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.
‘’Para fillimit të periudhës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, KQZ ka miratuar listën e Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike dhe ka caktuar numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik më 6 qershor. Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit është 66,450’’, ka bërë të ditur Elezi.
Ky i fundit, më tej, ka bërë të ditur edhe se, kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.
‘’Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës’’, ka shtuar Elezi.
Tutje, zëdhënësi i KQZ’së, ka thënë edhe se, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, KQZ ka rregulluar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me votimin jashtë Kosovë.
‘’KQZ ka vendosur numrin minimal prej 50 votuesish të regjistruar si kriter për organizimin e votimit në një përfaqësi të caktuar diplomatike. Nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ. Ndërkaq, për shtetasit që regjistrohen për të votuar me postë, KQZ, ashtu siç ka bërë në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, do t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim’’, ka përfunduar Elezi për Gazetën Express.
The post Mbi 28 mijë kërkesa për regjistrim për zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ njofton sa janë refuzuar e sa janë pranuar appeared first on Gazeta Express.



