Japonia po përballet me një valë të fortë të nxehti, ndërsa temperatura në qytetin jugperëndimor të Fukuokës arriti të mërkurën në 40.4 gradë Celsius, duke shënuar ditën e dhjetë radhazi me temperatura ekstreme.
Sipas Kyodo News, temperatura rekord u regjistrua në lagjen Hakata të Fukuokës. Vala e të nxehtit është shkaktuar nga një zonë e gjerë me presion të lartë, ndërsa qyteti është ndikuar edhe nga ajri i nxehtë dhe i lagësht i sjellë nga një tajfun pranë rajonit.
Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar pasoja të rënda në shëndetin publik. Vetëm gjatë muajit korrik, më shumë se 41 mijë persona u shtruan në spitale në të gjithë Japoninë për shkak të goditjes nga nxehtësia, ndërsa të paktën 79 persona humbën jetën.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive të Japonisë, më shumë se 60 për qind e personave të shtruar në spital ishin 65 vjeç ose më të mëdhenj.
Autoritetet japoneze i klasifikojnë ditët me temperatura prej 40 gradë Celsius ose më shumë si “kokushobi”, që nënkupton “ditë jashtëzakonisht të nxehta”.
Ndërkohë, temperaturat mesatare të verës në Japoni kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, duke shtuar shqetësimet për ndikimin e valëve të nxehtësisë në shëndetin publik.
The post I nxehti ekstrem “pushton” Japoninë, temperaturat kalojnë 40°C – 79 persona humbin jetën appeared first on Gazeta Express.

