Burimet njerëzore janë një nga pasuritë më të rëndësishme të një shteti, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë. Fatmir Hoxha, trajner dhe ekspert i Burimeve Njerëzore, vlerëson se “investimi në njerëzit që e mbajnë në këmbë sistemin shëndetësor është investimi më i mirë që mund të bëjmë për shëndetin publik të vendit”.
Pa profesionistë të motivuar, të mirëtrajnuar dhe të vlerësuar, investimi në infrastrukturë nuk mund të garantojë shërbime shëndetësore cilësore. Eksperti, Fatmir Hoxha, rikujton se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e konsideron fuqinë punëtore shëndetësore shtyllën kryesore të funksionimit të çdo sistemi shëndetësor dhe thekson rëndësinë e planifikimit, rekrutimit, zhvillimit dhe mbajtjes së stafit në sistem.
“Menaxhimi modern i burimeve njerëzore nuk kufizohet më te kontratat, dosjet apo procedurat e punësimit. Sot ai përfshin planifikimin e fuqisë punëtore, rekrutimin në bazë të kompetencave, zhvillimin profesional, menaxhimin e performancës, motivimin, mirëqenien e punonjësve, lidershipin dhe krijimin e një kulture organizative që lidhet drejtpërdrejt me objektivat e institucionit”, thekson Hoxha.
Eksperti Hoxha shpjegon se “një spital apo QKMF nuk mund të ketë performancë të mirë vetëm sepse ka një numër të caktuar punonjësish”.
Ai thekson se “duhet të ketë profesionistët e duhur, të shpërndarë sipas nevojave reale, me mundësi zhvillimi profesional dhe me një organizim efikas të punës”.
Menaxhimi i mirë ndikon drejtpërdrejtë te pacienti
Menaxhimi i mirë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit dhe kujdesin ndaj pacientit.
Prandaj, eksperti Hoxha thekson se “stafi i trajnuar, i motivuar dhe i organizuar mirë sjell shërbime më cilësore, më pak gabime, komunikim më të mirë dhe një përvojë më të mirë për pacientët”.
“Për këtë arsye, investimi në burimet njerëzore nuk duhet parë si shpenzim, por si investim afatgjatë në performancën dhe qëndrueshmërinë e institucionit”, shton ai.
Tutje, Hoxha flet edhe për rolin që kanë menaxherët dhe drejtuesit në krijimin e një mjedisi pune ku punonjësit performojnë mirë dhe zhvillohen vazhdimisht.
Sipas tij, “drejtuesit kanë rol vendimtar. Edhe kur një institucion ka staf shumë profesional, rezultatet mund të jenë të dobëta nëse udhëheqja është e dobët”.
Prandaj, eksperti Hoxha thekson se “një menaxher modern duhet të jetë jo vetëm administrator, por edhe udhëheqës, komunikues, mentor dhe mbështetës i ekipit”.
Megjithatë, institucionet publike shpesh funksionojnë me burime të kufizuara. Por, “cilat praktika mund të përmirësojnë performancën pa kërkuar shumë burime shtesë”?
Për këtë çështje, eskperti Hoxha thotë se “jo çdo përmirësim kërkon buxhet të madh”.
Hoxha deklaron se “shpesh problemi qëndron te mënyra se si menaxhohen burimet ekzistuese”.
“Institucionet publike mund të arrijnë shumë përmes masave relativisht të thjeshta: komunikim i rregullt me stafin, feedback konstruktiv, mentorim, njohje e punës së mirë, planifikim më i mirë i orareve, rishpërndarje e detyrave dhe përdorim i të dhënave për të kuptuar ngarkesën reale të punës”, vijon ai.
“Për shembull, në një klinikë apo QKMF, para se të kërkohet menjëherë rritje e numrit të stafit, mund të analizohet nëse orari, fluksi i pacientëve dhe shpërndarja e detyrave janë organizuar në mënyrë optimale. Një masë tjetër me kosto të ulët, por me impakt të lartë, është dëgjimi i vërtetë i punonjësve: një institucion që pyet stafin cilat janë problemet kryesore dhe më pas ndërmerr masa konkrete, krijon më shumë besim dhe angazhim. Pra, edhe në kushte të kufizimeve buxhetore, menaxhimi mund të përmirësohet ndjeshëm nëse institucionet kalojnë nga logjika “nuk kemi burime” te logjika “si t’i përdorim më mirë burimet që kemi?”, shprehet Hoxha.
Kosova përballë sfidës së ikjes së profesionistëve shëndetësorë
Mbajtja e profesionistëve shëndetësorë në Kosovë vazhdon të jetë një sfidë, veçanërisht për shkak të kushteve të punës, pagave dhe mundësive për zhvillim profesional.
Eksperti Hoxha, thekson se “për Kosovën, një prej sfidave më të mëdha mbetet mbajtja e profesionistëve shëndetësorë në sistem”.
Hoxha deklaron se “migrimi i mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë nuk është thjesht humbje e një vendi pune, është humbje e një investimi shumëvjeçar në arsim dhe trajnim”.
Prandaj, “përveç rekrutimit të profesionistëve të rinj, duhet të fokusohemi njëkohësisht edhe në krijimin e kushteve që profesionistët ekzistues të qëndrojnë në sistem: mundësi reale për karrierë dhe zhvillim profesional, menaxhim më i mirë, kushte të përshtatshme pune, vlerësim i drejtë i performancës dhe një kulturë institucionale që i respekton profesionistët”, bën me dije eksperti Hoxha.
Sipas tij, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, “Kosova ka ende hapësirë për përmirësim në përdorimin e të dhënave për planifikimin e fuqisë punëtore, në parashikimin e nevojave për profesione e specializime të caktuara, dhe në politikat për mbajtjen e stafit. Por edhe vendet evropiane përballen me probleme të ngjashme: institucionet kompetente raportojnë mungesa të konsiderueshme të mjekëve dhe infermierëve në shumë vende të Evropës”.
Ai thotë se “dallimi qëndron te fakti se sistemet më të zhvilluara kanë mekanizma më të avancuar për planifikimin e fuqisë punëtore, zhvillimin profesional dhe mbajtjen e stafit në sistem”.
Në fund, Hoxha thekson se “për Kosovën, objektivi duhet të jetë ndërtimi i një sistemi ku profesionisti shëndetësor nuk shihet vetëm si një numër në listën e pagave, por si kapitali kryesor i institucionit”.
Kujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vlerëson se punonjësit shëndetësorë janë shtylla e çdo sistemi funksional dhe rezilient shëndetësor, ndërsa konsiderohen ndër burimet më të vlefshme për garantimin e shërbimeve shëndetësore cilësore. OBSH thekson gjithashtu rëndësinë e investimit në fuqinë punëtore shëndetësore, përfshirë trajnimin, punësimin dhe mbajtjen e profesionistëve.
Ky hulumtin është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e intervistës nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo AGK-së.
The post Hoxha: Investimi në njerëz është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për shëndetin publik të vendit appeared first on Gazeta Express.

