Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe domosdoshmërinë e tejkalimit të ngërçit institucional.
Sipas njoftimit, Hamza e falënderoi raportuesin Riho Terras për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar konfirmimin se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Kryetari Hamza dhe eurodeputeti Terras vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian është një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
Kryetari Hamza theksoi se Partia Demokratike e Kosovës ndan shqetësimin e shprehur në raport lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë.
Ai theksoi se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, tha Hamza.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, shprehu mirënjohjen për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe të aspiratave tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë ditës Terras ka takuar edhe U. D. Presidenten e Kosovës, Albulena Haxhiun.

