Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pasi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Gruda, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.
Ai është shprehur se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese përcaktojnë, sipas tij, se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.
“Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet: VV nuk mund t’i shkelë afatet dhe pastaj PDK-së t’ia marrë të drejtën kushtetuese”, ka shkruar Gruda.
Sipas tij, PDK nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, deri në sqarimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

