Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se PDK-ja nuk e përjashton mundësinë që çështjen e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Gruda ka kritikuar situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se me tejkalimin e afatit të përcaktuar me Kushtetutë po cenohet rendi kushtetues i vendit.
Ai ka theksuar se afati për konstituimin e Kuvendit ka skaduar të premten, duke e cilësuar shkeljen e tij si një situatë të papranueshme.
“Sot po rrënohet Kushtetuta e Kosovës, por jo më nga Millosheviqi, prej njerëzve që i ka zgjedhur populli i Kosovës. Kjo është e pabesueshme dhe e papranueshme”, ka deklaruar Gruda.
Ndërkohë, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës kishte nisur të enjten, por u ndërpre pasi kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk prezantoi emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Gjatë kësaj seance, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës bënë betimin. Pas përfundimit të kësaj pike të rendit të ditës, seanca u ndërpre dhe nuk vazhdoi me procedurën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Çështja e konstituimit të Kuvendit mbetet e hapur, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional. /Telegrafi/

