Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj krahasimeve mes bllokadës së vitit 2014 dhe situatës aktuale në Kuvendin e Kosovës.
Gruda ka thënë se mes dy situatave ekziston një dallim thelbësor, pasi në vitin 2014 nuk kishte ekzistuar Aktgjykimi KO124/25 i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, ky aktgjykim, i nxjerrë më 26 qershor 2025, ka përcaktuar se afati 30-ditor nuk është vetëm afat për fillimin e seancës konstituive, por afat brenda të cilit Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
“Për të gjithë ata që po e krahasojnë bllokadën e vitit 2014 me situatën e sotme në Kuvendin e Kosovës, duhet sqaruar një dallim thelbësor”, ka shkruar Gruda.
Ai ka theksuar se ky interpretim juridik nuk ekzistonte as gjatë fazës së parë të bllokadës së vitit 2025, deri në nxjerrjen e aktgjykimit KO124/25.
“Pas 26 qershorit 2025, situata juridike ndryshoi, Gjykata Kushtetuese e dha interpretimin përfundimtar dhe detyrues të kësaj çështje”, ka deklaruar Gruda.
Deputeti i PDK-së ka vlerësuar se për këtë arsye, krahasimi i situatës aktuale me atë të vitit 2014 është i gabuar në aspektin juridik.
“Prandaj, krahasimi me vitin 2014 është juridikisht i gabuar, sepse nuk mund ta gjykosh sjelljen e vitit 2014 sipas një aktgjykimi që u nxor njëmbëdhjetë vjet më vonë”, ka shkruar Gruda.
Reagimi i tij vjen në kohën kur në Kuvend po vazhdon bllokada rreth konstituimit të legjislaturës së re dhe zgjedhjes së organeve drejtuese./Telegrafi/
