Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, lidhur me interpretimin e afateve për konstituimin e Kuvendit.
Gruda ka thënë se në Gjykatën Kushtetuese shkohet për interpretimin e Kushtetutës dhe jo për interpretimin e aktgjykimeve të vetë Gjykatës.
“Në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, ka shkruar Gruda.
Ai i është referuar Aktgjykimit KO124/25, për të cilin thotë se Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin brenda 30 ditësh nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
“Gjykata, në Aktgjykimin KO124/25, e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, ka deklaruar Gruda, duke iu drejtuar Konjufcës.
Deputeti i PDK-së ka cituar edhe paragrafin 140 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi”, thuhet në pjesën e cituar nga Gruda.
Gruda ka theksuar se kjo çështje, sipas tij, tashmë është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese dhe se nuk ka nevojë që të rikthehet për interpretim.
“Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon të dërgojmë edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, ka shkruar Gruda. /Telegrafi/

