Presidentja e Mekanizmit Ndërkombëtar për Tribunalet Penale (MMKS), Graciela Gatti Santana, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Ratko Mlladiqit për lirimin e tij të parakohshëm dhe transferimin në Serbi për arsye ‘humanitare’.
Mlladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe, është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Mbrojtja e tij më 18 gusht kishte kërkuar lirimin me kusht për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Kërkesa parashihte transferimin e drejtpërdrejtë të tij në një spital ose institucion për kujdes paliativ në Serbi, nën mbikëqyrjen e autoriteteve serbe dhe me kushte të tjera që do t’i përcaktonte MMKS-ja.
Megjithatë, Gatti Santana vlerësoi se, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, rrethanat humanitare nuk e justifikojnë një masë të jashtëzakonshme si lirimi i parakohshëm. Ajo theksoi se edhe në kushtet aktuale, dinjiteti njerëzor i Mlladiqit po respektohet plotësisht.
Vendimi u mbështet nga gjyqtarët Aminatt Lois Runeni N’gum, Seymour Panton dhe Mustapha El Baaj. Në anën tjetër, gjyqtarët Alphons Orie dhe Prisca Matimba Nyambe ishin në favor të pranimit të kërkesës për lirimin e tij.
Kjo nuk është hera e parë që mbrojtja e Mlladiqit kërkon lirimin e tij për shkak të problemeve shëndetësore.
Mlladiqi u arrestua në Serbi në vitin 2011 dhe më pas u ekstradua në Hagë, ku u përball me akuzat për krime lufte. Sipas ekspertëve të cituar nga mediat, në momentin e arrestimit ai ishte në gjendje shumë të rënduar shëndetësore dhe kishte dyshime se mund të mos jetonte mjaftueshëm për të përfunduar procesin gjyqësor.
Ratko Mlladiqi u dënua përfundimisht në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.
Kërkesat e mëparshme për lirimin e tij për shkak të gjendjes shëndetësore janë refuzuar gjithashtu. /Vijesti
The post Gjykata thotë jo për Mlladiqin: Nuk ka arsye humanitare për lirimin e tij appeared first on Gazeta Express.

